
Një varkë e cila po udhëtonte drejt Ishujve Kanaire është gjetur e zhytur ku të paktën tetë emigrantë kanë humbur jetën në ujërat pranë arkipelagut spanjoll. Autoritetet kanë njoftuar se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi numri i të vdekurve mund të shkojë deri në dhjetë.
Shërbimet spanjolle të shpëtimit detar lokalizuan varkën rreth 70 kilometra larg Ishujve Kanarie ndërkohë që në bord ndodheshin dhjetëra persona. Operacioni i shpëtimit është përqendruar në nxjerrjen e të mbijetuarve dhe transportimin e tyre drejt bregut.
Sipas shërbimit spanjoll të shpëtimit detar, Salvamento Marítimo, 84 migrantë, mes tyre edhe një i mitur, u shpëtuan dhe u dërguan në portin e La Restinga, në ishullin El Hierro. Nga ana tjetër gjashtë prej të mbijetuarve ndodheshin në gjendje të rëndë shëndetësore duke u transportuan menjëherë me helikopter drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Emigrantët u pritën në port nga efektivë të Gardës Civile, personel i Kryqit të Kuq dhe ushtarë të njësisë së emergjencave të ushtrisë spanjolle. Disa prej tyre ishin aq të dobët sa u desh të transportoheshin me barela, ndërsa të tjerë u mbështollën me batanije emergjence.
Varka, në të cilën ndodheshin ende trupat e viktimave, u tërhoq drejt ishullit El Hierro dhe pritej të mbërrinte në port gjatë orëve të pasdites. Angel Victor Torres, Ministri spanjoll i Politikës Territoriale, e ka cilësuar operacionin e shpëtimit si të ndërlikuar, gjatë një prononcimi për radion spanjolle.