
Bshkimi Evropian ka kundërshtuar vendosjen e tarifave të reja tregtare të paralajmëruara nga Shtetet e Bashkuara, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtyre masave dhe argumentet e përdorura nga Uashingtoni për t'i justifikuar ato. Administrata amerikane i mbështet tarifat e reja me pretendimin se partnerët kryesorë tregtarë po favorizojnë industritë e tyre vendase përmes subvencioneve që SHBA i konsideron të paligjshme.
Nga ana e saj, Evropa kundërshton këtë qëndrim, duke argumentuar se nuk është ajo shkaktarja e mbiprodhimit në tregjet ndërkombëtare. Përkundrazi, kontinenti evropian renditet ndër rajonet më të prekura nga kjo dukuri, veçanërisht për shkak të produkteve që vijnë nga Kina. Brukseli ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për mungesën e një reagimi të përbashkët lidhur me këtë çështje, në një kohë kur politikat e reja tregtare amerikane rrezikojnë të shtojnë tensionet mes dy partnerëve ekonomikë.
Përplasjet vijnë pas marrëveshjes tregtare për tarifat, të nënshkruar mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në korrik të vitit 2025. Ajo u arrit pas luftës tregtare të nisur nga presidenti amerikan Donald Trump në disa fronte. Megjithatë, njoftimet e fundit nga Uashingtoni kanë rikthyer pasigurinë mbi marrëdhëniet tregtare transatlantike, ndërsa mbetet e paqartë nëse masat e reja do të ndikojnë në zbatimin dhe të ardhmen e marrëveshjes së arritur mes palëve.