
Aktorja Jessica Alba është urdhëruar nga gjykata t’i paguajë ish-bashkëshortit të saj, Cash Warren, një shumë prej 577 481 dollarësh, si pjesë e marrëveshjes së divorcit të tyre.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, shuma do të përfitohet nga skema e ndarjes së fitimeve të kompanisë së aktores, HonorBar Inc., ku përfshihen edhe përfitimet e saj të pensionit. Warren mund ta marrë shumën menjëherë ose ta transferojë në një llogari individuale pensioni apo në një plan tjetër të ngjashëm.
Vlera përfundimtare mund të ndryshojë në varësi të fitimeve ose humbjeve nga investimet deri në momentin e transferimit të parave. Pas kësaj pagese, Alba nuk do të ketë më detyrime të tjera ndaj ish-bashkëshortit për përfitime që lidhen me kompaninë e saj.
Kjo shumë vjen përveç 3 milionë dollarëve që aktorja kishte rënë dakord t’i paguante Warren-it për të barazuar ndarjen e pasurisë së tyre. Pagesa e mëparshme ishte parashikuar të kryhej në dy këste prej 1.5 milionë dollarësh.
Jessica Alba dhe Cash Warren u ndanë në dhjetor 2024, pas 16 vitesh martesë. Ata kanë tre fëmijë së bashku: Honor, 18 vjeçe, Haven, 15 vjeçe dhe Hayes, 8 vjeç. Ish-çifti ka rënë dakord të ndajë kujdestarinë ligjore dhe fizike të fëmijëve.
Alba konfirmoi ndarjen në janar 2025, ndërsa një muaj më vonë paraqiti kërkesën për divorc, duke përmendur si arsye dallimet e papajtueshme. Që prej ndarjes, aktorja është lidhur me kolegun e saj, Danny Ramirez.