
Gjykata e Posaçme ka caktuar 11 dhjetorin si datën kur do të shqyrtojë për herë të parë dosjen ‘Balluku’ dhe akuzat për korrupsion, tendera dhe fshehje pasurie që rëndojnë ndaj ish-zv/kryeministres.
Shqyrtimi paraprak i kërkesës së SPAK për dërgimin e çështjes në gjyq të dosjes ku përveç Belinda Ballukut janë përfshirë edhe dhjetëra persona dhe dy kompani, do të nis në orën 10:00.
Sipas njoftimit të GJKKO-së, Prokuroria e Posaçme ka depozituar më 16 nëntor 2026 kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr. 136 të vitit 2025, ku Balluku është një nga të pandehurit. Sipas SPAK, Balluku dyshohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv në ushtrimin e funksioneve publike, si dhe mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë në dy raste.
Në dosje përfshihet edhe akuza për pastrim parash, ndërsa në qendër të hetimeve janë procedura prokurimi të zhvilluara gjatë periudhës kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe më herët në krye të shoqërisë publike Albcontrol.
Ndër çështjet kryesore janë tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe procedurat për Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës, me SPAK që dyshon se në këto procedura janë favorizuar kompani të caktuara në këmbim të përfitimeve të parregullta.
Një tjetër pjesë e hetimit lidhet me dy prona në Palasë dhe Dhërmi, për të cilat SPAK pretendon se janë në pronësi faktike të Ballukut, por janë regjistruar në emra të tjerë.
Vila në Palasë, me sipërfaqe totale 478 metra katrorë, dyshohet se është financuar pjesërisht përmes investimeve të biznesmenëve Igli Tare dhe Arbër Abazi. Ndërsa prona në Dhërmi, me vlerë të përllogaritur rreth 720 mijë euro, lidhet nga hetuesit me përfitime të dyshuara nga favorizimi i kompanisë “Eurocol” në një procedurë tenderimi të Albcontrol.
Sipas SPAK, vlera e dy pronave arrin në rreth 1.83 milionë euro. Ato janë vendosur nën sekuestro preventive, ndërsa hetuesit dyshojnë se për të fshehur pronësinë reale janë përdorur kontrata porosie dhe dokumente fiktive.