
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka mbrojtur vendimin për largimin e Elisa Spiropalit nga grupi, duke deklaruar se procedura është ndjekur në përputhje me statutin dhe rregulloren e brendshme të partisë. Pas votimit, Balla u shpreh për mediat se vendimi është marrë sipas rregullave dhe se një praktikë e tillë zbatohet edhe në grupin parlamentar socialist në Bashkimin Evropian.
“Do të keni dokumentacionin që do t’i vihet në dispozicion Kuvendit në lidhje me këtë vendimmarrje të Asamblesë, që në zbatim të rregullores u njoftua sot edhe në grupin parlamentar. Pas 9 vitesh në grupin parlamentar mua më vjen shumë keq që duhet të shkonim në këtë vendimmarrje. Në rastin në fjalë kemi një vendim i cili është fjalë për fjalë sipas statutit dhe rregullores. Ka një nen, neni 28, janë çështje të organizimit të brendshëm. Pas nëntë vitesh në grupin parlamentar, më vjen keq që shkojmë në këtë vendimmarrje”, tha ai.