
Reshjet e shiut kanë vijuar prej disa ditësh në verilindje të vendit duke shkaktuar kështu probleme të shumta edhe në hidrocentralin e Fierzës ku situata paraqitet e qëndrueshme. Rezerva hidrike në liqen aktualisht nuk ka prodhim energjie dhe as shkarkime.
Sipas raportimeve turbinat në digën e hidrocentralit të Fierzës janë jashtë funksionit. Prurjet në ujëmbledhësin më të madh të kaskadës së Drinit janë rreth 250 metra kub në sekondë, një nivel që duket se nuk po shfrytëzohet për prodhim energjie, në një situatë ku po synohet ruajtja e rezervës ujore.
Sipas të dhënave të HEC-it Fierzë, fuqia aktive e prodhimit është zero dhe asnjë agregat nuk është në punë. Sipas burimeve nga hidrocentrali, njëri prej agregateve ndodhet në remont, ndërsa aktualisht nuk raportohet prodhim energjie nga hidrocentrali.
Niveli i liqenit të Fierzës ka arritur në 261.02 metra mbi nivelin e detit. Një javë më parë, niveli ishte 255.69 metra, duke shënuar një rritje prej rreth 5.3 metrash në këtë periudhë.
Pavarësisht reshjeve të ditëve të fundit në zonat e verilindjes, rezervat ujore në Fierzë mbeten një element i rëndësishëm për administrimin e energjisë në kaskadën e Drinit, veçanërisht në prag të sezonit dimëror, kur kërkesa për energji pritet të rritet.