
Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 60-vjeçar, të dyshuar si autor të shpërthimit me lëndë plasëse në derën e banesës së një gruaje në kryeqytet. Ngjarja ndodhi më 14 nëntor, në rrugën “Sadik Petrela”, ku një sasi e dyshuar eksplozivi shpërtheu në hyrje të banesës së një 47-vjeçareje. Në kuadër të operacionit policor “Gjurmimi”, është shpallur në kërkim A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan. Ndërkohë, kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për tre vajza, A. Ç., 21 vjeçe, A. L., 18 vjeçe, dhe një 17-vjeçare, të cilat janë fqinje të të dyshuarit.
Sipas policisë, ato dyshohet se ndodheshin në të njëjtin automjet me 60-vjeçarin në momentin e ngjarjes, por nuk e kanë denoncuar krimin. Për këtë arsye, po hetohen për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjatë hetimeve janë sekuestruar automjeti i dyshuar se është përdorur në ngjarje dhe katër telefona celularë. Policia vijon kërkimet për kapjen e 60-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit.