
Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen vendet e para të Ballkanit Perëndimor që përmbyllin negociatat me Bashkimin Europian dhe kalojnë në fazën e hartimit të traktatit të anëtarësimit. Këtë bindje e ka shprehur ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, pas takimit të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të zhvilluar më 23 nëntor në Athinë. Sipas kryediplomatit sllovak, 23 vite pas Samitit të Selanikut, ku BE-ja konfirmoi perspektivën europiane të rajonit, ekziston tashmë një mundësi konkrete për realizimin e këtij angazhimi. Ai vlerësoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë arritur një nivel përgatitjeje që u mundëson mbylljen e të gjithë kapitujve negociues.
Blanar e cilësoi zgjerimin si një zhvillim me rëndësi strategjike, jo vetëm për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por edhe për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në kontinent. Në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, që pritet të zhvillohet më 25 nëntor në Bruksel, ministri nënvizoi se përmbushja e kritereve teknike nuk është më faktori i vetëm që përcakton ecurinë e integrimit. Vendimmarrja, sipas tij, varet gjithnjë e më shumë nga vullneti politik dhe konsensusi mes shteteve anëtare. Për këtë arsye, Blanar u bëri thirrje vendeve të unionit të mos pengojnë avancimin e kandidatëve për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe apo çështjeve të pazgjidhura historike. Ai argumentoi se këto konflikte duhet të trajtohen përmes dialogut në Bruksel, në funksion të ndërtimit të një Europe më të bashkuar dhe më të aftë për t'u përballur me sfidat e përbashkëta.