
Një 20-vjeçar i identifikuar si Endrit Azemi është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët e Kosovës dhe diasporës, duke pretenduar në mënyrë të rrejshme se vuante nga leukemia akute ndaj kishte mbledhur përmes donacioneve afro 190 mijë euro.
Rasti ka të bëjë me një fushatë humanitare të organizuar përmes platformës “GoFundMe”, por edhe me mbledhjen e parave të gatshme nga qytetarët në sheshin e Gjilanit. Përmes kësaj fushate, qytetarët e shumtë kishin kontribuar financiarisht, me shpresën se po ndihmonin në trajtimin dhe rehabilitimin e tij.
Madje, motra e tij, Kosovare Azemi, kishte bërë thirrje publike për ndihmë, duke kërkuar nga qytetarët që të kontribuonin me aq sa kishin mundësi. Por, Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se pas verifikimeve është konstatuar se i dyshuari nuk vuante nga sëmundja për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një histori të pavërtetë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Nga kjo fushatë dyshohet se janë grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.
Pas marrjes së informacioneve të para, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë nisur hetimet dhe kanë arritur t’i bllokojnë paratë në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara në kuadër të rastit. I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. /LAPSI.al