
Jennifer Lopez është vënë në qendër të kritikave pas deklaratave se fakti që nuk ishte një aktore e bardhë ia kishte vështirësuar sigurimin e roleve në filmat e Hollywood-it.
Gjatë një interviste për “The New York Times”, këngëtarja dhe aktorja 57-vjeçare hodhi poshtë idenë se merr vazhdimisht oferta të shumta për role, duke shpjeguar se shpesh është dashur të krijojë vetë mundësi për karrierën e saj.
“Që në fillim të karrierës sime merrja oferta, por ishin vetëm disa. Më është dashur të krijoja vetë mundësitë për veten time. Dhe mendoj se arsyeja ishte se, për të qenë e sinqertë, nuk isha aktorja tipike e bardhë. E kuptoni çfarë dua të them? Dhe në njëfarë mënyre, kjo vazhdon të jetë e njëjtë edhe sot”, u shpreh Lopez.
Ajo theksoi se industria e filmit ka pasur gjithmonë preferenca të caktuara kur bëhet fjalë për përzgjedhjen e aktorëve, duke e bërë më të vështirë për artistët me prejardhje të ndryshme etnike të sigurojnë role.
Megjithatë, Lopez pranoi se vitet e fundit Hollywood-i ka bërë përparime në drejtim të diversitetit dhe përfaqësimit.
“Ka disa gjëra specifike që ata kërkojnë dhe tani industria është padyshim më e larmishme, gjë që është pozitive”, tha ajo.
Aktorja shtoi se pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që artistët të krijojnë rrugën e tyre, në vend që të presin gjithmonë që mundësitë t’u vijnë nga të tjerët.
“Nëse dua të realizoj diçka, nuk pres që dikush të ma ofrojë. Përpiqem ta bëj vetë dhe nëse më vjen ndonjë ofertë tjetër, aq më mirë”, shpjegoi ajo.
Por deklaratat e saj nuk u pritën mirë nga të gjithë. Disa përdorues të rrjeteve sociale vunë në dyshim pretendimet e këngëtares, duke iu referuar karrierës së saj të gjatë dhe numrit të madh të filmave ku ka luajtur.
Bashkëprezantuesja e Fox News, Tomi Lahren, reagoi me ironi në platformën X, duke shkruar: “Po, sigurisht”.
Ndërkohë, personaliteti i internetit Oli London vuri në dukje se Lopez ka luajtur në 44 filma dhe ka një pasuri të konsiderueshme.
Kritika më të ashpra erdhën nga aktorja Adrianne Curry-Rhode, e cila i cilësoi komentet e Lopez si një “iluzion të nivelit tjetër”.
Ajo pretendoi se Lopez kishte marrë role kryesisht falë pamjes së saj fizike, duke vënë në pikëpyetje edhe aftësitë e saj si aktore.
Edhe kritiku i filmave Christian Toto reagoi ndaj deklaratave të këngëtares, duke argumentuar se ajo ka pasur një karrierë të qëndrueshme për më shumë se dy dekada, mes projekteve të mëdha filmike, koncerteve dhe muzikës.
Jennifer Lopez, me origjinë portorikane, ka interpretuar në filma të njohur si “Selena”, “Out of Sight”, “The Wedding Planner” dhe “Maid in Manhattan”.