
Rreth 450 shkolla në Gjermani janë vënë në alarm pasi kanë marrë kërcënime për bomba përmes postës elektronike.
Mesazhet, të cilat kanë pasur përmbajtje pothuajse identike, kanë mbërritur mëngjesin e së hënës, duke vënë në lëvizje autoritetet e sigurisë në disa rajone të vendit. Policia gjermane ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve, por deri tani nuk ka gjetur prova për ndonjë rrezik konkret. Në disa lande, shkollave u është kërkuar të vijojnë normalisht procesin mësimor, ndërsa në disa institucione janë marrë masa paraprake.
Kërcënime të ngjashme janë raportuar edhe në Danimarkë, ku policia po heton mesazhet e dërguara në disa shkolla. Autoritetet daneze kanë konfirmuar se i njëjti email u është dërguar një numri të madh adresash dhe kanë deklaruar se aktualisht nuk ka arsye për alarm.
Incidentet vijnë në një periudhë kur disa vende evropiane janë përballur me një valë kërcënimesh të rreme dhe sulmesh kibernetike ndaj institucioneve arsimore dhe infrastrukturës kritike. Vetëm javën e kaluar, më shumë se dhjetë shkolla në Spanjë u evakuuan pas kërcënimeve të ngjashme, ndërsa në Itali mijëra institucione arsimore kishin marrë mesazhe kërcënuese. Disa zyrtarë evropianë kanë ngritur dyshime për një fushatë destabilizuese me origjinë ruse, por deri tani nuk ka një autorësi të konfirmuar.