
Këngëtarja e njohur Mariah Carey ka reaguar pas komenteve dhe shqetësimeve të fansave për gjendjen e saj fizike, pasi disa video nga performancat e fundit në Brazil u bënë virale në rrjetet sociale.
Gjatë koncertit të saj në Rio de Janeiro, të shtunën, më 21 nëntor, 57-vjeçarja iu drejtua publikut me një mesazh të drejtpërdrejtë.
“Dhe meqë ra fjala, mos besoni gjithçka që lexoni në internet. Mos më bëni të zemërohem tani!”, u shpreh ajo, duke shkaktuar reagime dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Reagimi i saj vjen pas performancës në São Paulo, më 17 nëntor, ku interpretimi i këngës së saj të famshme “Fantasy” ngriti pikëpyetje mes fansave.
Në videot e publikuara në internet, Carey shihet duke ecur drejt qendrës së skenës me ndihmën e një prej kërcimtarëve. Në një moment tjetër, katër kërcimtarë e ndihmojnë gjatë një lëvizjeje koreografike, duke bërë që shumë ndjekës të shprehin shqetësimin për lëvizjet e saj.
Disa fansa vunë në dyshim nëse këngëtarja po përballet me probleme shëndetësore, ndërsa të tjerë i kërkuan të pushonte dhe të mos e sforconte veten.
Shqetësimet u shtuan edhe pas publikimit të një tjetër videoje, ku Mariah shihej duke u mbështetur te krahu i një asistenteje teksa ecte për të takuar fansat në Brazil.
Deri më tani, këngëtarja nuk ka dhënë një shpjegim konkret për mënyrën se si lëviz gjatë performancave dhe nuk ka konfirmuar se vuan nga ndonjë problem shëndetësor.
Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që performancat e saj nxisin diskutime të tilla. Edhe në shkurt të vitit 2025, gjatë rezidencës së saj në Las Vegas, disa video ku ajo shfaqej duke lëvizur me vështirësi në skenë shkaktuan reagime të ngjashme.