
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se negociatat me partitë opozitare për zgjedhjet e 9 majit do të synojnë krijimin e një fronti të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama. I pyetur nëse kandidati për Bashkinë e Tiranës duhet të vijë nga radhët e protestës, ai u shpreh se përzgjedhja duhet të bëhet pa paragjykime dhe me interesin e qytetarëve si kriter.
Berisha tha se në protestë morën pjesë përfaqësues të partive politike dhe qytetarë pa parti, ndaj e cilësoi atë si një bashkim të paprecedentë. Ai përmendi edhe lëvizjen studentore në Serbi, duke thënë se ajo përfshin rryma të ndryshme politike, dhe u bëri thirrje shqiptarëve ta shohin bashkimin opozitar si përgjigje ndaj asaj që e quajti “rrezik real ekzistencial për kombin tonë”.
Deklarata e plotë e Sali Berishës:
“Aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarë pa parti. Protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë. Me atë që unë jam, të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës.
Se, po të nisemi nga protesta, të garantoj që në trashëgiminë e tyre ata që kanë jo 170 ditë, por kanë 500-700 ditë në protestë, janë në përgjithësi të PD-së.
Por ne do të fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe që pranojnë, duke ruajtur identitetin e tyre, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta. Të gjithë shkuan aty për largimin e Ramës.
Ky është një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama. Secili nga ne duhet të saktësohet nëse e konsideron Ramën një rrezik ekzistencial apo jo. Çdo njeri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt që gjen forca në interesin e tij dhe të partisë për t’u bashkuar në një front.
Nuk ka gjë më qesharake sesa të presësh se çfarë do të thonë ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët kanë vetëm një këshillë: bashkohuni si opozitë. Nuk ishte Vuçiçi rrezik ekzistencial për Serbinë, siç është Edi Rama.
Këta që i referohen lëvizjes serbe, duhet t’i referohen vërtetësisht dhe jo kot së koti. E vërteta është që lëvizja serbe është një përzierje e të gjitha rrymave, shumë prej të cilave nuk kanë asgjë të përbashkët në programet e tyre.
Unë ftoj të gjithë shqiptarët ta konsiderojnë këtë bashkim në kushtet e një rreziku real ekzistencial për kombin tonë. Me durim, por ne shpresojmë se kjo axhendë do të ecë.”