Flash

Plarent Ndreca: Rama i quajti m*tër socialistët, atëherë pse i mbledh?

Lapsi.al 23 November 2026

Plarent Ndreca: Rama i quajti m*tër socialistët, atëherë pse

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca i ka kthyer pwrgjigje sulmeve tw kryeministrit Edi Rama, i cili e ka pwrfshirw nw "grupin armiqwsor" tw Erion Veliajt duke e sulmuar nga forumet e PS.

Në një reagim të gjatë në Facebook, Ndreca kritikon mënyrën se si Rama po drejton Partinë Socialiste dhe e akuzon pwr fyerjet drejtuar socialistwve duke paralajmëruar se nuk do të heshtë më përballë presionit politik.

"Socialistët e kanë vënë aty Edi Ramën për t’i udhëhequr, jo për t’i fyer. Me qetësinë dhe durimin që i takojnë një kryetari, mund t’i kishte dëgjuar arsyet pse nuk ishin me të gjatë protestave. Por iu hakërrye, i quajti “m…ër” dhe e vuri veten mbi partinë. Po nëse e mban veten më të madh se partia, pse i mbledh asambletë? Pse i thërret socialistët, kur i quan “m…ër” dhe nuk ua dëgjon dot “p…dhët”? Pse nuk del vetëm në zgjedhje? Pse nuk i merr vetë votat?" shkruan Ndreca që thekson se do të vijojë të jetë avokat i Veliajt për aq kohë sa ky i fundit dëshiron.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq,

Të dashur socialistë,

Kush i ka ndjekur me kujdes daljet e mia publike, duhet ta ketë kuptuar se jam përpjekur ta mbaj të ndarë punën time si avokat i Erion Veliajt nga qëndrimet e mia si socialist. Si avokat, kam përcjellë me besnikëri qëndrimet e ekipit mbrojtës për çështjen Veliaj. Si socialist, si ish-deputet i Partisë Socialiste, si kandidat në listën e saj dhe si drejtues politik i Njësisë 14 në Tiranë, kam zgjedhur të përmbahem.

Por përmbajtja e ka një kufi dhe ai u kalua kur Kryeministri përdori dy herë foltoren e kryetarit të partisë për të më ndëshkuar politikisht për qëndrimet që kam mbajtur në ushtrimin e profesionit tim.

Prandaj sot po ju flas edhe si socialist.

Së pari, për partinë dhe statutin e saj.

Mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe të Asamblesë së Tiranës ishin një turp për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Partia u kthye 35 vjet pas, fiks në kohën e fishkëllimave kundër Dritëroit.

Socialistët e kanë vënë aty Edi Ramën për t’i udhëhequr, jo për t’i fyer. Me qetësinë dhe durimin që i takojnë një kryetari, mund t’i kishte dëgjuar arsyet pse nuk ishin me të gjatë protestave. Por iu hakërrye, i quajti “m…ër” dhe e vuri veten mbi partinë. Po nëse e mban veten më të madh se partia, pse i mbledh asambletë? Pse i thërret socialistët, kur i quan “m…ër” dhe nuk ua dëgjon dot “p…dhët”? Pse nuk del vetëm në zgjedhje? Pse nuk i merr vetë votat?

Foli për mua në Asamblenë Kombëtare. Mori përsipër të ushtronte kompetenca që nuk i takojnë dhe shkeli statutin që, si kryetar i partisë, duhej ta respektonte i pari. Asambleja nuk mori asnjë vendim për përjashtimin tim nga “kjo shtëpi”, siç e quan ai. Të shtunën, për herë të dytë, Edi Rama u përpoq ta impononte vetë një vendim të tillë, duke anashkaluar strukturat që janë aty për të mbajtur çdo socialist në hullinë e statutit.

Po çfarë shkeljeje statutore kam bërë unë? Askush nuk artikuloi qoftë edhe një të vetme.

Kam bërë punën time si avokat, duke përcjellë publikisht qëndrimet e ekipit mbrojtës ndërkombëtar të Erion Veliajt, përfshirë pretendimet ndaj veprimeve të Edi Ramës si Kryeministër, të paraqitura në Gjykatën e Strasburgut. Janë pretendime juridike, mbi të cilat vendos gjykata, jo Kryeministri apo Asambleja e Partisë Socialiste.

Por që kur përkatësia në Partinë Socialiste kushtëzohet nga detyrimi për t’i dhënë gjithmonë të drejtë kryetarit? Që kur mospajtimi me të përbën shkelje statutore dhe ushtrimi i profesionit të avokatit bëhet shkak për ndëshkim politik? Edi Rama ka të drejtë t’i kundërshtojë pretendimet e mbrojtjes me argumente, por jo ta zëvendësojë përballjen me to në goditje politike për avokatin që i përcjell.

Unë nuk kam lejuar që përkatësia ime politike të më diktojë kë të mbroj si avokat dhe nuk pranoj që profesioni im të më diktojë përkatësinë politike. Kjo nuk është vetëm çështja ime, por e çdo socialisti që beson se Partia Socialiste është një bashkim njerëzish të lirë, ku Statuti qëndron mbi vullnetin e kryetarit, jo e kundërta.

Së dyti, për rolin tim në raport me Bashkinë e Tiranës.

Meqë Kryeministri solli në foltoren e partisë thashethemet që qarkullojnë në korridoret e tij politike dhe siç duket, kohët e fundit, ka shumë njerëz që i fryjnë në vesh informacione të gabuara, nuk po them se “gënjen si derri”, por një gjë është e sigurt: asgjë nga ato që tha nuk është e vërtetë.

Si drejtues politik i Njësisë 14, i kam përcjellë me shkresa Bashkisë dhe qeverisë problemet që më kanë ngritur qytetarët e zonës. E kam bërë sepse e kam për detyrë t’u jap zë njerëzve që më drejtohen. Për vijimin e kësaj detyre vendosin strukturat e partisë, sipas statutit të saj. Kur të më njoftohet vendimi sipas statutit, ose kur Partia Socialiste të regjistrohet në kadastër si pronë private e Edi Ramës, do ta respektoj.

Sa për emërimet dhe shkarkimet në Bashkinë e Tiranës, unë nuk kam emëruar e nuk kam shkarkuar askënd dhe as mund ta bëj, edhe po të dua. Vendimet i ka marrë Erion Veliaj dhe përgjegjësinë për to e mban ai. Por nëse Edi Rama do të sigurohet për vullnetin e “shokut” të tij (siç e quan në asamblenë e mbyllur), mund të shkojë e ta pyesë vetë. Jo natën e me kapele, por hapur, në mes të ditës.

Së treti, për “gënjeshtrën” time mbi takimin e Toni Gogut me Erion Veliajn. Në Asamblenë Kombëtare, Edi Rama tha se kam gënjyer dhe se kam shtrembëruar atë që është thënë në takimin e Toni Gogut me Erion Veliajn.

Po çfarë kam shtrembëruar? Erion Veliaj ma ka dhënë rrëfimin e tij me shkrim. Unë e kam përcjellë publikisht, duke thënë se ishte rrëfimi i tij. Nuk kam thënë kurrë se isha aty apo se e dëgjova vetë bisedën. Meqë ra fjala, e besoj plotësisht atë që më ka treguar.

Nëse Edi Rama thotë se e kam shtrembëruar rrëfimin e klientit tim, le të tregojë cilën fjalë kam shtuar, cilën kam hequr ose cilës ia kam ndryshuar kuptimin. Nëse kundërshton vetë rrëfimin e Erion Veliajt, le të tregojë mbi ç’prova mbështetet. A ishte vetë në takim? A kishte dijeni paraprakisht? A i kishte dhënë porosi ministrit? Ai që flet me kaq siguri duhet të jetë në gjendje të na thotë nga i vjen kjo siguri.

Erion Veliaj ka kërkuar hetim për pretendimet e tij se ministri e ka shantazhuar dhe e ka kërcënuar në emër të Kryeministrit. Kryeministri mund të ndërmerrte një hetim qeveritar ose, si drejtues i shumicës, të mbështeste një hetim parlamentar. Por për kërkesën e hetimit heshti.

Dhe tani, për mua.

Unë jam socialist sepse besoj te demokracia, te shteti i së drejtës, te solidariteti dhe te progresi. Besoj te një familje politike me histori, që jeton përmes njerëzve të saj. Socialistët që e ngritën Edi Ramën aty ku është, unë i kam miq, shokë dhe bashkëpunëtorë. Ata nuk janë as bujkrobër, as skllevër dhe as ushtarë.

Sigurisht, jam edhe avokat dhe deri dje, në sytë e Edi Ramës, isha i paparë. Sot, që rrethanat ndryshuan, jo për shkakun tim, nuk jam dhe aq. Me sa duket, edhe avokati i Erionit duhet të jetë në rreshtin partiak. Madje edhe doktorin e Erionit duhet ta caktojë partia dhe t’i tregojë se si t’ia operojë këmbën.

Ia kam thënë dhe po e përsëris. As më lëkund, as më dikton dhe as më impresionon dot. Për aq kohë sa Erion Veliaj dëshiron që unë të jem avokati i tij, do t’i qëndroj pranë dhe do t’i mbroj interesat me gjithë përkushtimin tim.

Kështu ma kërkon betimi im profesional, solidariteti si socialist dhe thirrja njerëzore që më vjen nga të gjallët e të vdekurit e atyre anëve ku i kam rrënjët.
Por që nga sot do të jem edhe një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën beson.

 

Të këshilluara

SecuriMeter 2026: Bie mbështetja për punonjësit e huaj, 44% e të anketuarve janë kundër

Shqiptarët rrisin skepticizimin për punonjësit e huaj, pasi nuk po mendojnë si dy vitet e shkuara se ata mund të ndihmojnë në plotësimin e vendeve të lira të punës. Sipas anketës SecuriMeter 2026 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal vetëm 39% e të anketuarve pohuan se punonjësit e ardhur nga jashtë ndihmojnë në plotësimin e vendeve […]

11:54

ide

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

89.78

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

Me sytë katër

PAPARAZZI