Flash

Burgu nuk e mbylli hasmërinë/ Ekzekutimi i Selami Hasanit 24 vjet pas vrasjes së nipit të Ben Qimes

Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami”, u vra në oborrin e banesës në Fier, ndërsa nipi i tij mbeti i plagosur; policia po heton pistën e hasmërisë së vjetër dhe po kërkon autorët, që dyshohet se u larguan drejt Vlorës.

Lapsi.al 23 November 2026

Burgu nuk e mbylli hasmërinë/ Ekzekutimi i Selami Hasanit 24 vjet pas

Nuk kishte shumë kohë që kishte dalë nga burgu Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami” kur është qëlluar për vdekje pranë shtëpisë së tij në Fier. 60-vjeçari po punonte te muri rrethues i banesës në lagjen “1 Maji”, kur autorët e zunë në pritë dhe e lëshuan drejt tij breshëritë e plumbave duke e lënë të vdekur në vend dhe duke plagosur nipin e tij.

Hasani u qëllua mëngjesin e të hënës (23 nëntor) teksa punonte në murin rrethues të banesës. Atentati ndodhi në pjesën e jashtme të oborrit. Nga të shtënat ai humbi jetën menjëherë ndërsa u plagos nipi i tij, Jakup Hasani, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.

Policia mori njoftimin për të shtënat rreth orës 09:50 dhe dërgoi në vendngjarje forcat “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme. Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alket Ahmetaj, tha se efektivët gjetën një person të vdekur dhe një të plagosur.

“Rreth orës 09:50, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka mbërritur një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen ‘1 Maji’. Pas marrjes së njoftimit, forcat ‘Shqiponja’ dhe patrullat e përgjithshme të policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku kanë konstatuar se një shtetas kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur” u shpreh Ahmetak.

Sipas policisë, Hasani ndodhej jashtë banesës kur u qëllua, në anën e jashtme të murit rrethues.

“Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, e cila po punonte aty. Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit”

Deri në përfundimin e këqyrjes së vendit të ngjarjes policia nuk konfirmoi hollësi për mënyrën se si vepruan autorët, nëse ata hynë duke kaluar murin, nëse ishin të maskuar dhe çfarë rruge ndoqën pas të shtënave, detaje që mbeten për t’u verifikuar. Ahmetaj tha se po merren pamjet e kamerave të sigurisë dhe se po kryhen veprimet e para hetimore.

Hasmëria me familjen Isufaj dhe dënimi me 25 vjet burg

Burgu nuk e mbylli hasmërinë/ Ekzekutimi i Selami Hasanit 24 vjet pas

Emri i Selami Hasanit lidhej me përplasjen e armatosur të 25 marsit 2002, pranë “Sheshit të Valutës”, në qendër të Fierit. Në atë ngjarje u vranë Julian Isufaj, nipi i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, dhe kambisti Esat Tare. Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj mbetën të plagosur; Sulaj ishte kalimtar i rastit.

Hasani u dënua me 25 vjet burg për vrasje dhe plagosje. Në përplasjen e vitit 2002 përmenden edhe Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Si shkak i të shtënave dyshohej një hasmëri e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj. Vrasja e Julian Isufajt e vendosi Hasanin në konflikt të drejtpërdrejtë me familjen e tij, një e kaluar që tani po shqyrtohet nga grupi hetimor si pistë e mundshme për atentatin.

Pas ngjarjes së vitit 2002, Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në arrati. Në gusht 2009, forcat RENEA e arrestuan në Fier gjatë operacionit të koduar “Parukieri”. Në momentin e arrestimit, policia i sekuestroi dy pistoleta. Ai u lirua nga burgu disa vite më parë.

Policia po heton nëse vrasja e Hasanit lidhet me hasmërinë e krijuar pas ngjarjes së vitit 2002. Pas atentatit, raportohet për kontrolle edhe në banesën e Arben Isufajt. Deri tani, hakmarrja mbetet një pistë që po verifikohet.

Postblloqe në Vlorë dhe automjetet e djegura

Burgu nuk e mbylli hasmërinë/ Ekzekutimi i Selami Hasanit 24 vjet pas

Pas të shtënave, autorët dyshohet se u larguan në drejtim të Vlorës. Policia ngriti pika kontrolli në akset ku mund të lëviznin të dyshuarit ose automjetet e përdorura në ngjarje. Në hyrje të Vlorës, efektivët vendosën postblloqe dhe ndaluan automjete për kontroll.

Pranë rrethrrotullimit të Ndërmenasit, në autostradën Fier–Vlorë, u gjet një “Volvo” i djegur, që dyshohet se është përdorur në atentat. U raportua edhe për një automjet të djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. Për lidhjen e këtij mjeti me atentatin, policia tha se po verifikon informacionet e mbledhura.

“Shërbimet e policisë po verifikojnë të gjitha informacionet për automjetet dhe personat e dyshuar. Veprimet hetimore po vijojnë” u shpreh drejtori i policisë. Kontrollet në Vlorë, kërkimet për automjetet dhe marrja e pamjeve të kamerave synojnë të rindërtojnë itinerarin e autorëve dhe të përcaktojnë nëse “Volvo”-ja e djegur është mjeti që përdorën. 

Por vrasja e Sel Çamit tregon se historitë e hakmarrjeve mes fiseve mbeten ende një plagë e hapur, ndërsa goditjet e ndërsjellta po sofistikohen: nga përplasjet e hapura dhe shkëmbimet e zjarrit po ua lënë vendin atentateve të planifikuara me kujdes, ku autorët largohen përherë në drejtim të paditur./Lapsi.al

Të këshilluara

Kërcënimet ndaj Veliajt/ Pse u xhindos Rama për ca drejtorë bashkie

Arsyeja përse Rama arriti deri te kërcënimet mafioze ndaj Veliajt për shkarkimin e disa drejtorëve të Bashkisë së Tiranës lidhet me rrezikun që, përmes këtyre largimeve, kryebashkiaku i burgosur t’i çmontojë makinerinë elektorale të PS-së në prag të zgjedhjeve lokale.

01:22

ide

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

89.78

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

Me sytë katër

PAPARAZZI