
Një laborator nëntokësor për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit është zbuluar nga Policia e Shkodrës, pas një operacioni të koduar ‘Labirinti’. Në pranga kanë përfunduar 10 persona, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike dhe 170 kilogramë kanabis i përpunuar.
Operacioni policor është zhvilluar në zonën e njohur si ‘Kanali i Drinit’, ku uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në dy objekte, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Zbulimi është bërë brenda një magazine, ku efektivët kanë konstatuar një hyrje të fshehtë dhe të kamufluar, e cila të çonte në dy ambiente nëntokësore të përshtatura për aktivitetin kriminal.
Njëri prej ambienteve ishte pajisur me llamba dhe sisteme të posaçme për kultivimin e kanabisit, ndërsa tjetri shërbente si laborator për përpunimin e lëndës narkotike.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi rreth 2 600 bimë të dyshuara kanabisi, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike të përpunuar, të vendosur në 10 thasë plastikë.
Në kuadër të operacionit u arrestuan 10 persona, mes tyre dy gra 36 dhe 38 vjeçe, nga Gjirokastra, si dhe tetë burra nga qytete të ndryshme të vendit.
Njëri prej të arrestuarve, 46 vjeç, rezultonte gjithashtu i shpallur më parë në kërkim nga Policia e Shkodrës.
Ndërkohë, hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet të kultivimit dhe përpunimit të lëndëve narkotike. /LAPSI.al