
Me përjashtimin e Elisa Spiropalit, Partia Socialiste mbetet me 81 deputetë dhe për të miratuar projekt-ligjet me shumicë të cilësuar i duhen 3 votat e Tom Doshit.
Mbledhja e sotme e grupit parlamentar ishte formalizim i urdhrit që Rama dha në asamblenë e fundit të Partisë Socialiste, kur pati një debat me Elisa Spiropalin në lidhje me qëndrimet e saj për Belinda Ballukun. Vetë Rama mungoi në mbledhje, duke ia lënë drejtimin e saj Taulant Ballës, ndërsa vetëm dy deputetë kanë abstenuar, Bledi Çuçi dhe Erjon Braçe.
Spiropali u shkarkua nga posti i ministres së jashtme në muajin janar të këtij viti, mes paranojës dhe thashethemeve të përmendura nga Rama për "anglishtfolës" që i pëshpërisnin në vesh partnerëve ndërkombëtare në lidhje me aferat e korrupsionit të qeverisë. Pas shkarkimin, Spiropali nuk pranoi të votojë për mbrojtjen e Belinda Ballukut nga arrestimi i kërkuar nga SPAK dhe më vonë kërkoi distancimin e Ramës nga ish-zv.kryeministrja, e cila është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, për korrupsion dhe pastrim parash.