
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e sotëm në Shkollën e Parë Teknike në Kragujevac të Serbisë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona. Lidhur me ngjarjen është arrestuar një nxënës 17-vjeçar i kësaj shkolle.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, policia është njoftuar rreth orës 08:00 për incidentin, ku një person dyshohet se është plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa tjetri nga copat e xhamit të thyer.
Autoritetet bëjnë me dije se 17-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me një pushkë të kalibrit të vogël në korridorin e shkollës. Ai është neutralizuar dhe arrestuar nga policia, e cila ndodhet në vendngjarje për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.
Pas ngjarjes, në Ministrinë e Arsimit të Serbisë është ngritur një shtab krize. Një ekip i ministrisë është nisur menjëherë drejt shkollës në Kragujevac për të ndjekur nga afër situatën. Ministri i Arsimit në detyrë, Dejan Vuk Stanković, ka zhvilluar bisedime me drejtuesin e Administratës Shkollore në Kragujevac dhe kryetarin e bashkisë, Nikola Dašić.
Drejtori i Shkollës së Parë Teknike, Nemanja Joksimović, deklaroi se të gjithë nxënësit janë larguar të sigurt nga godina pas të shtënave. Ai bëri të ditur se një nxënëse është plagosur, por jeta e saj nuk është në rrezik.
“Me reagimin e shpejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nxënësi u arrestua. Ne po ndjekim situatën dhe do të bëjmë gjithçka që mësimi të normalizohet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi drejtori.
Joksimović shtoi se ngjarja ndodhi gjatë orës së parë të mësimit, ndërsa theksoi se nxënësi i arrestuar nuk kishte shfaqur më parë probleme në shkollë. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa priten informacione të tjera pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes.