
Jennifer Lopez ka vendosur të mbajë më private jetën e saj sentimentale, pas eksperiencave të mëparshme dhe divorcit nga aktori Ben Affleck.
Gjatë një interviste në podcastin “Popcast” të The New York Times, më 20 nëntor, këngëtarja 57-vjeçare foli për vëmendjen e madhe mediatike që kanë marrë marrëdhëniet e saj ndër vite dhe për dëshirën që kjo pjesë e jetës të mos jetë më në qendër të vëmendjes publike.
“Dua të mbroj njerëzit e mi të dashur dhe dua që disa gjëra në jetën time të jenë më private dhe më të shenjta. Kam nxjerrë mësime nga fakti që i kam bërë publike marrëdhëniet e mia. Nuk është diçka që dua ta bëj më kurrë”, u shpreh Lopez.
Megjithatë, ajo theksoi se si artiste nuk mund të heqë dorë nga cenueshmëria dhe introspeksioni, pasi këto janë elemente të rëndësishme për të krijuar vepra me kuptim.
“Është e vërtetë që njerëzit do ta dinë, do t’ju shohin, por kjo nuk do të thotë se dua të komentoj për këtë. Nuk është diçka në të cilën dua të përfshij publikun apo ta ekspozoj”, shtoi ajo.
Duke reflektuar mbi ndikimin që vëmendja mediatike ka pasur në marrëdhëniet e saj të mëparshme, këngëtarja pranoi se ekspozimi ishte shkatërrues, megjithëse nuk pendohet për asnjë prej eksperiencave të saj.
“Lidhjet në të cilat kam qenë, pavarësisht nëse mediat ishin të përfshira apo jo, nuk ishin të destinuara të funksiononin. Prandaj nuk mund të them se ishte media ajo që i shkatërroi”, u shpreh ajo.
Lopez ishte e martuar me Ben Affleck në korrik të vitit 2022, ndërsa kërkoi divorcin dy vite më vonë. Ndarja e tyre u finalizua në janar të vitit 2025.
Në një tjetër intervistë të fundit, këngëtarja ka folur edhe për katër martesat e saj, duke pranuar se për një kohë të gjatë kishte kërkuar dikë që t’i ofronte stabilitet emocional.
Ajo shpjegoi se fama e kishte bërë të ndihej e vetmuar dhe se dëshironte dikë që të kalonte kohë me të sinqerisht, jo dikë që punonte për të apo që kërkonte diçka prej saj.