
Katër persona kanë rënë në prangat e policisë në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës. Sipas informacioneve paraprake, të arrestuarit janë familjarë të ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, ndërsa në mesin e tyre dyshohet se janë edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati i Arlindës.
Për vrasjen e ndodhur më 25 tetor, i dyshuar kryesor është Albert Sylaj, ish-kunati i viktimës. Rasti nxiti reagime të shumta dhe shqetësim lidhur me mënyrën se si institucionet i kishin trajtuar kërkesat e Arlinda Zekajt për mbrojtje.
Viktima kishte kërkuar më herët ndihmë nga institucionet dhe ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, por pavarësisht kësaj, nuk arriti t'i shpëtonte tragjedisë. Hetimet në lidhje me ngjarjen po vazhdojnë, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat dhe roli i secilit prej personave të arrestuar.