
Taylor Swift thuhet se i ka refuzuar dy herë kërkesat e shtëpisë botuese Condé Nast për të publikuar fotot ekskluzive të dasmës së saj me Travis Kelce, disa muaj përpara se revista “Vanity Fair” të publikonte një artikull mjaft kritik për këngëtaren.
Sipas burimeve të Page Six, botuesi i revistave prestigjioze “Vanity Fair” dhe “Vogue” kishte kërkuar fotografitë e para nga ceremonia martesore e çiftit, e mbajtur më 3 korrik në New York. Megjithatë, Swift i kishte refuzuar me mirësjellje të dyja kërkesat.
“Ata i kërkuan fotot muaj më parë, madje dy herë. Taylor refuzoi me mirësjellje. Condé Nast i dëshironte vërtet ato”, tha një burim për Page Six.
Deri më tani, këngëtarja dhe ylli i futbollit amerikan nuk kanë publikuar asnjë fotografi nga ceremonia e tyre martesore.
Çifti organizoi një dasmë madhështore në Madison Square Garden, ku morën pjesë rreth 1 mijë të ftuar. Ceremonia u drejtua nga aktori Adam Sandler, ndërsa të ftuarit u argëtuan me performanca muzikore nga Stevie Nicks dhe Paul McCartney.
Refuzimi i Swift për të ndarë fotografitë merr një tjetër vëmendje pas publikimit të artikullit të fundit të “Vanity Fair”, i cili shkaktoi reagime të shumta për mënyrën se si portretizonte këngëtaren.
Në shkrimin e publikuar të hënën, revista e identifikoi Swift si “Ylli” dhe, duke u mbështetur në rrëfimet e më shumë se 100 burimeve, trajtoi marrëdhëniet e saj me persona të njohur, konfliktet e pretenduara dhe përplasjet në karrierë. Disa prej burimeve e krahasuan atë me Regina George, personazhin antagonist të filmit “Mean Girls”.
Publikimi shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ku fansat e këngëtares dolën në mbrojtje të saj dhe kritikuan mënyrën se si ishte ndërtuar artikulli.
Ndërkohë, një burim pranë Swift ka bërë të ditur për Page Six se këngëtarja nuk po e vuan emocionalisht publikimin e shkrimit dhe se nuk po humbet gjumin për shkak të tij.