
Parapërgatitjet për ndeshjen e javës së pestë të Champions League në Stamboll u shndërruan në një skenar të vërtetë thrilleri, pasi vëmendja u zhvendos nga fusha e blertë drejt zonave pyjore në veri të metropolit turk. Përballja mes Galatasaray dhe Aston Villa, e programuar në orën 18:45 në stadiumin “Rams Park”, për një kohë të gjatë u duk se rrezikonte të shtyhej ose madje të anulohej, për arsye sigurie që lidheshin me raportimin për një luan të madh të lirë.
Kronika e shfaqjes së bishës
Alarmi u dha të hënën në mbrëmje në distriktin verior të Sarıyer, një zonë e karakterizuar nga pyje, parqe natyrore dhe lagje rezidenciale, e vendosur rreth 16 kilometra larg stadiumit ku Galatasaray zhvillon ndeshjet si pritës. Sipas raportimit të zyrës së guvernatorit të Stambollit, kafsha – e cila nga analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në lagjen Uskumruköy dukej se ishte një luaneshë – u pa rreth orës 18:00. Më pas pati raportime të tjera edhe pranë një stacioni policie në Zekeriyaköy.
I pari që dha alarmin ishte Arda Koc, një drejtues automjeti, të cilit kafsha iu shfaq papritur përpara teksa po udhëtonte: “Fillimisht përjetova një tmerr të jashtëzakonshëm dhe njoftova menjëherë xhandarmërinë”, tregoi ai për mediat lokale. Kështu nisi kërkimi për kafshën, me synimin për ta lokalizuar para se ajo të afrohej më shumë me zonat e banuara ose me stadiumin. Autoritetet turke angazhuan një grup të madh pune, të përbërë nga rreth 70 punonjës, veterinerë të specializuar dhe 7 dronë, të cilët zhvilluan kërkime gjatë gjithë natës.
Disa lagje në veri të Stambollit u mbyllën për trafikun dhe këmbësorët, ndërsa kryebashkiaku Aksu u bëri zyrtarisht thirrje banorëve të mos dilnin nga shtëpitë, si për të mbrojtur sigurinë publike, ashtu edhe për të mos e trembur kafshën dhe për të lehtësuar kapjen e saj. Pas kërkimeve të para, zyra e guvernatorit qetësoi popullsinë, duke bërë të ditur se “zona ku ndodhet luani është identifikuar dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar kapjen e tij të gjallë”.
Pas disa orësh, e njëjta zyrë publikoi një deklaratë të re, në të cilën sqaroi se kafsha në fjalë nuk ishte luan: “Studimet në terren nuk kanë dhënë asnjë provë konkrete për praninë e një luani në zonë. Pas shqyrtimit të pamjeve të reja të marra nga ekipet tona, të regjistruara nga kënde të ndryshme, është përcaktuar se kafsha në pamje nuk është as luan dhe as ndonjë specie tjetër e një maceje të madhe”.
Asnjë rrezik për ndeshjen
Për momentin, situata mbetet nën monitorim të rreptë, por pas komunikatës së fundit të guvernatorit alarmi është shuar. Nëse nuk ndodh ndonjë e papritur, ndeshja do të zhvillohet rregullisht.