
Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, në vijim të hetimeve të operacionit të koduar “Labirinti”, ku një ditë më parë u zbulua një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe përpunimin e lëndës narkotike në fshatin Ganjollë.
Sipas Policisë së Shkodrës, të proceduarit janë J. D., 43 vjeç, banues në Fushë-Arrëz; K. F., 42 vjeç, banues në Hot të Ri; L. H., 65 vjeç, banues në Gur të Zi; Gj. M., 53 vjeç, banues në Juban; dhe D. D., 43 vjeç, banues në Kosmaç. Të pesë janë punonjës të OSHEE-së Shkodër.
Materialet procedurale ndaj tyre janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve të zhvilluara një ditë më parë në dy objekte të nëndheshme, në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”, në fshatin Ganjollë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësuan 2 600 bimë narkotike dhe arrestuan 10 persona.
Sipas Policisë, ambienti nëntokësor ishte përshtatur për kultivimin e bimëve të dyshuara narkotike dhe për përpunimin e lëndës së dyshuar narkotike.
Hetimet për operacionin “Labirinti” vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.
Top Channel