
Këngëtarja Ariana Grande ka folur hapur për vështirësitë që ka përjetuar në karrierën muzikore, duke lënë të kuptohet se marrëdhëniet me njerëzit që e rrethonin në atë periudhë kishin ndikuar në mënyrën se si ajo e përjetonte krijimtarinë.
Gjatë një interviste në podcastin “Las Culturistas”, artistja tregoi se ndryshimet në jetën e saj personale dhe profesionale, përfshirë edhe ndryshimet në ekipin me të cilin punon, e kanë ndihmuar të rifitojë besimin dhe dëshirën për të krijuar muzikë.
“Një pjesë e madhe e arsyes pse nuk ndihesha e sigurt për të krijuar sërish kishte të bënte me marrëdhëniet që rrethonin procesin e krijimit, publikimit dhe njerëzit me të cilët punoja”, u shpreh Grande.
Ajo shtoi se sot ndihet shumë më e qetë dhe e mbështetur nga njerëzit që ka pranë.
“Kur ke siguri rreth vetes, trupi yt e kupton këtë. Instrumenti yt e kupton gjithashtu. Dhe atëherë je në gjendje të ndash, të jesh vetvetja dhe të nisësh nga e para”, tha këngëtarja.
Edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt emra, deklaratat e saj janë interpretuar si një thumbim ndaj ish-menaxherit të saj, Scooter Braun. Dyshja i dha fund bashkëpunimit në vitin 2023, pas rreth një dekade së bashku.
Grande foli gjithashtu për rikthimin në skenë pas shtatë vitesh, duke e përshkruar turneun e fundit si një përvojë që e ndihmoi të shërohej emocionalisht. Ajo kujtoi se gjatë turneut të vitit 2019 kishte qenë në një gjendje ku ndihej e mpirë emocionalisht dhe thjesht po përpiqej t’ia dilte.
Këtë herë, sipas saj, gjithçka ishte ndryshe dhe arriti ta përjetonte çdo moment në një mënyrë shumë më të veçantë.