
Administrata Trump propozoi të mërkurën tarifa të reja deri në 20% ndaj Kinës, Bashkimit Evropian dhe 12 partnerëve të tjerë kryesorë tregtarë të SHBA-së. Këto masa pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, pas një hetimi 8-mujor mbi kapacitetet e tepërta prodhuese.
Këto tarifa mund të shkaktojnë tronditje në ekonominë globale, ku Kina është objektivi kryesor, shprehen ekspertët ndërkombëtarë.
Tarifa e propozuar prej 20% për shumë mallra kineze u përshkrua nga administrata Trump si një "normë marrëveshjeje", e cila mund të rritet më tej në varësi të ecurisë së bisedimeve aktuale. Kjo tarifë e re do t'u shtohet tarifave ekzistuese, duke çuar në një normë totale prej mbi 40% për disa mallra.
Tarifat e reja nuk do të hyjnë në fuqi pa u zhvilluar më parë dëgjesa shtesë dhe një periudhë për komente publike, sipas një zyrtari amerikan që informoi gazetarët para njoftimit, ato "në rastin më të hershëm, pritet të hyjnë në fuqi në janar".
"Armëpushimi" tregtar me Kinën pritet të skadojë në 10 janar.
Edhe disa vende të tjera aziatike përballen me tarifa më të larta. Për Vietnamin është propozuar një tarifë e re prej 20%, ndërsa për Kamboxhian, Indonezinë dhe Malajzinë propozohen tarifa prej 18%. Për Indinë parashikohet një normë prej 17%, por, siç theksoi administrata amerikane, kjo vlen vetëm nëse bisedimet aktuale çojnë në arritjen e një marrëveshjeje.
Zyrtari amerikan deklaroi se normat mund të rriten edhe më shumë, në varësi të reagimit të vendeve përkatëse. Ai shtoi se hetimi kishte arritur në përfundimin se një tarifë e re prej 40% për Kinën dhe 35% për Vietnamin ishte "e justifikuar", edhe pse për momentin propozohen norma më të ulëta për shkak të bisedimeve që janë ende në zhvillim.
Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë publikoi një listë me "Norma të Propozuara", të cilat janë përgjithësisht më të larta, duke variuar nga 20% në 40%.
Në vende të tjera, ndikimi mund të jetë më i kufizuar, pasi tarifat e reja janë hartuar në mënyrë që të mos tejkalojnë normat e rëna dakord në marrëveshjet tregtare të kohëve të fundit. Kjo do të thotë se partnerët tregtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Korenë e Jugut dhe Japoninë, do të përballen me një tarifë prej 15%, shifër kjo që përputhet me atë për të cilën ata ranë dakord me administratën Trump gjatë muajve të fundit.
Tarifat e reja përjashtojnë produkte kyçe si gjysmëpërçuesit, si dhe automjetet, çelikun dhe aluminin, të cilat i nënshtrohen një regjimi të veçantë tarifor. Gjithashtu, do të përjashtohen edhe mallra të tjera që administrata Trump i ka veçuar muajt e fundit, përfshirë produkte të caktuara të energjisë dhe ushqimit.
Hetimi u krye në bazë të Seksionit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974 dhe përfshiu Bangladeshin, Kamboxhian, Kinën, Bashkimin Evropian, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë, Singaporin, Zvicrën, Tajvanin, Tajlandën dhe Vietnamin.
Nën hetim ishin gjithashtu Norvegjia dhe Meksika. Gjetjet për këto vende janë ende në fazën e shqyrtimit.