
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dha Rudy Giulianit “Medaljen Presidenciale të Lirisë. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut publikoi foto nga ceremonia e ndarjes së çmimit nëpërmjet X. Gazetarët nuk u ftuan në ceremoni, e cila u zhvillua në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
82-vjeçari Giuliani theksoi se ndihet shumë i nderuar, duke shtuar: "Të bëj gjënë e duhur për të tjerët ka qenë gjithmonë busulla ime".
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, e quajti Giulianin "një shërbëtor publik të përkushtuar, lidershipi i të cilit ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në qytetin e Nju Jorkut dhe vendin tonë".
Një ish-prokuror, Rudy Giuliani u bë i njohur për luftën e tij kundër mafias së Nju Jorkut. Si kryetar bashkie i metropolit amerikan, ai u lavdërua për mënyrën se si i trajtoi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Megjithatë, prestigji i ish-avokatit personal të Donald Trump pësoi një goditje në vitin 2023 kur Giuliani u urdhërua të paguante 148 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje, pas akuzave për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Rudy Giuliani kishte udhëhequr përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i fitoi demokrati Joe Biden. Që atëherë ai është përjashtuar nga shoqatat e avokatëve të Nju Jorkut dhe Uashingtonit. ©LAPSI.al