
Policia greke ka arritur të zbardhë vrasjen e një personi të njohur në qarqet mafioze greke, i cili u gjet i vdekur në rrugë në orët e para të datës 11 tetor të këtij viti në Glyfada. Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Niko Gavanozi, i njohur me nofkën “Papagalli”.
Hetuesit grekë kanë identifikuar njërin prej dy personave që ndodheshin në motoçikletën nga e cila u hap zjarr, ndërsa kanë dyshime edhe për identitetin e personit të dytë. Konkretisht, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një 48-vjeçar nga Saranda, i identifikuar nga mediat greke si Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe si Stamatis Qendrothanasi. Edhe personi tjetër dyshohet se është shtetas shqiptar.
Policia ka arrestuar në zonën e Agrinios një 48-vjeçar grek, i cili dyshohet se ka ndihmuar dy autorët pas ngjarjes, duke i transportuar dhe duke u siguruar mundësinë për t’u larguar nga vendi i atentatit.
Qendrothanasi rezulton një person me precedentë të rëndë kriminalë për policinë greke. Ai ishte shpallur më herët në kërkim për një grabitje me armë të ndodhur në vitin 2013 në Mesenia, ku nga një pikë e shërbimit postar “ELTA” u morën 130 mijë euro.
Për këtë ngjarje, ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti më 18 dhjetor 2023, i cili është mbajtur në fuqi me urdhër të kryetarit të Gjykatës së Apelit të Kalamatës më 17 dhjetor 2024. Në vitin 2025, Qendrothanasi rezulton të jetë dënuar me 9 vite e 3 muaj burg për 3 grabitje dhe armëmbajtje pa leje. E kaluara e tij kriminale përfshin gjithashtu akuza për pjesëmarrje në grup kriminal, grabitje, gjobëvënie, vjedhje, plagosje të rëndë, kërcënime, fyerje dhe falsifikim, si dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe substancat e ndaluara.
Qendrothanasi rezulton të ketë qenë mik i ngushtë i Irakli Davellës, një tjetër shtetas nga Saranda, i ekzekutuar më 15 dhjetor 2024 në Athinë, në një atentat ku mbeti i plagosur edhe 48-vjeçari Edmond Hysa, i njohur edhe si Edi Lulo. Sipas mediave greke, Qendrothanasi ka bashkëpunuar më herët edhe me persona të njohur të botës së krimit në Greqi, si Vasilis Grivas, i njohur si “Bill”, dhe Manoli Karagiani, i njohur si “Karafla”, të cilët janë ekzekutuar vitet e fundit në Greqi.
Gjatë marrjes në pyetje, 48-vjeçari grek i arrestuar pranoi se kishte ndihmuar dy autorët, duke i transportuar nga banesa e tij drejt një tjetër banese në Karea. Megjithatë, sipas pretendimeve të tij, ai nuk e dinte se dy personat ishin të përfshirë në një vrasje. Ai deklaroi se kishte besuar që motoçikleta që i kishin dorëzuar ishte një mjet i vjedhur. Gjithashtu, pretendoi se autorët i kishin lënë dy helmetat e tyre dhe motoçikletën, duke i kërkuar që të merrej me çmontimin e saj.
Nga hetimet rezultoi se ai kishte vijuar me çmontimin e motoçikletës dhe kishte hequr pjesët e saj. Sa i përket njërës prej dy helmetave, ai deklaroi se ia kishte dorëzuar një personi të tretë, identitetin e të cilit pretendoi se nuk ishte në gjendje ta dinte apo ta zbulonte. Sipas policisë greke, edhe 48-vjeçari i arrestuar ka lidhje me grupet kriminale shqiptare, pasi më herët ishte arrestuar në kuadër të një grupi që trafikonte drogë nga Shqipëria dhe Turqia drejt Greqisë.
Sipas hetimeve, dy autorët, të cilët udhëtonin me një motoçikletë, iu afruan 52-vjeçarit teksa ai po drejtonte motoçikletën e tij në drejtim të klubit të natës ku punonte si roje sigurie. Ata e qëlluan fillimisht me armë zjarri, duke bërë që të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej në rrugë. Pasi viktima ra përtokë, autorët e ekzekutuan.
Një nga pistat kryesore që po shqyrtojnë hetuesit lidhet me konfliktet që viktima dyshohet se kishte krijuar për shkak të përfshirjes së tij në tregtinë e drogës në periferitë jugore gjatë muajve të fundit. Sipas informacioneve të televizionit publik grek “ERT”, aktiviteti i tij kishte shkaktuar reagime dhe ishte paraprirë nga një sërë kërcënimesh dhe paralajmërimesh. Pas vrasjes, policia gjeti një kuti me fishekë në kutinë postare të banesës së tij, e cila dyshohet se ishte lënë si mesazh paralajmërues.
Nikos Gavanozi, i njohur me nofkën “Papagalli”, ishte arrestuar më parë për pjesëmarrje në një rrjet kriminal që u ofronte “mbrojtje” klubeve të natës dhe pronarëve të tyre. Në këtë rrjet dyshohet se ishin përfshirë edhe emra të njohur të botës së natës në Greqi, disa prej të cilëve nuk jetojnë më. Herën e fundit që Gavanozi u vu në pranga ishte në korrik të vitit 2024, për përfshirjen e dyshuar në incidentet e ndodhura jashtë stadiumit “Alexandras”. Përplasjet përfunduan me plagosjen e dy personave nga të shtënat me armë zjarri dhe shtrimin në spital të një personi tjetër, i cili ishte dhunuar. ©LAPSI.al