
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka diskutuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte mundësitë për përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa në tryezën e bisedimeve kanë qenë edhe zhvillimet lidhur me Iranin dhe Groenlandën. Sipas Bloomberg, pas takimit me kreun e Aleancës, Trump deklaroi se konflikti mes Moskës dhe Kievit kishte zënë pjesën kryesore të diskutimeve. Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se homologu i tij rus, Vladimir Putin, dëshiron t'i japë fund luftës. Takimi, i zhvilluar në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago, Florida, pasoi bisedimet që presidenti amerikan zhvilloi javën e kaluar me Putinin në Kinë.
Përmes një deklarate të përbashkët, Trump dhe Rutte i kërkuan Moskës të shmangë çdo veprim që mund të çojë në zgjerimin e konfliktit përtej kufijve të Ukrainës, duke nënvizuar nevojën për një zgjidhje sa më të shpejtë diplomatike. Ndërkohë, përpjekjet e Uashingtonit për të negociuar përfundimin e luftës kanë ngjallur shqetësime në mesin e aleatëve europianë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka këmbëngulur që Europa të jetë pjesë e negociatave për paqe. Pjesë e diskutimeve mes Trump dhe Rutte ishte gjithashtu rritja e shpenzimeve ushtarake dhe investimeve në mbrojtje në vendet anëtare të NATO-s.