
Egnatia ka shkruar një nga faqet më të rëndësishme të historisë së saj europiane, duke siguruar fitoren e parë në fazën e ligës së një kompeticioni të UEFA-s. Një triumf që për kampionët e Shqipërisë ka peshë të veçantë, jo vetëm për tri pikët e marra, por edhe për besimin që i jep skuadrës në vazhdimin e kësaj aventure.
Pas ndeshjes, trajneri Nevil Dede nuk e fshehu kënaqësinë për rezultatin, por njëkohësisht pranoi se Egnatia kishte mundësi ta mbyllte takimin me një diferencë më të thellë. Tekniku zbuloi gjithashtu se kjo ishte një nga sfidat ku skuadra kishte besuar më shumë për të marrë maksimumin që në momentin e hedhjes së shortit. “Kur u hodh shorti, ndeshja që mendonim se duhet ta fitonim ishte kjo e sotmja”, deklaroi Dede, duke nënvizuar rëndësinë e objektivit të realizuar. Megjithatë, për trajnerin, mënyra se si erdhi fitorja la edhe disa rezerva, veçanërisht për rastet e shumta të shpërdoruara.
“Duhet të ishte një fitore më e thellë nga ana jonë, por në fund kanë rëndësi tri pikët”, theksoi ai. Dede u ndal edhe te momenti kur kundërshtari gjeti golin, duke pranuar se për disa çaste kishte dyshuar në ecurinë e ndeshjes. “Në rastet e fundit të pjesës së parë thashë: ‘Diçka nuk shkoka sot’. Gabuam te goli i pësuar dhe reaguam direkt”, rrëfeu tekniku, që veçoi edhe stresin e përjetuar nga skuadra gjatë takimit.

Në të njëjtën linjë me rëndësinë e triumfit ishte edhe mesfushori Altin Kryeziu, i cili luajti për të 90 minutat. Futbollisti i Kosovës foli hapur për karakteristikat e kundërshtarit dhe vështirësitë që Egnatia priste të haste në këtë përballje.
“E dinim që do të ishte ndeshje e fortë. Nuk është se kanë shumë kualitet, e dinim që do të luanin pisët”, u shpreh Kryeziu, duke zbuluar edhe mënyrën se si skuadra ishte përgatitur për sfidën. Goli i pësuar mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit, por mesfushori theksoi se besimi te fitorja nuk u lëkund asnjëherë. “Ai gol na befasoi, por kurrë nuk besuam se nuk merrnim fitore sot dhe ia arritëm qëllimit”, deklaroi ai.
Kryeziu foli edhe për rolin e tij në fushë, duke zbuluar se ardhja e Nevil Dedes i ka dhënë mundësi të luajë në më shumë se një pozicion në mesfushë. “Ndihem mirë edhe si 6, por me ardhjen e trajnerit Dede, më ka vendosur edhe si 8 dhe po i shijoj të dyja për momentin”, tha futbollisti.
Megjithatë, festa europiane nuk do të zgjasë shumë. Egnatian e pret rikthimi në kampionat, aty ku çdo pikë mbetet e rëndësishme në objektivat sezonalë. Mesfushori paralajmëroi se skuadra do të ketë pak kohë për rikuperim, përpara një tjetër sfide të rëndësishme në transfertë. “Tani kemi dy ditë rikuperim. Kemi fokusin te kampionati, sepse e dimë që është i rëndësishëm dhe do të japim 100% për të fituar çdo ndeshje”, përfundoi Kryeziu.
Një natë historike për Egnatian, por edhe një mesazh i qartë nga Dede dhe lojtarët e tij: suksesi europian është për t'u shijuar, por ambiciet nuk ndalen këtu.