
Egnatia zbret në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij rrugëtimi historik në Europë. Përballë Lincoln Red Imps, kampionët e Shqipërisë synojnë fitoren e parë në fazën e ligës së Conference League, një rezultat që mund t’u japë shtysë në garën për një vend në fazën e playoff-it. Në “Air Albania”, skuadra e Nevil Dedes pritet të ketë edhe mbështetjen e shumë tifozëve.
Tre ndeshje, dy barazime dhe një humbje. Ky është bilanci i Egnatias deri tani në fazën e ligës, me dy pikë të grumbulluara dhe një pozicion që nuk i lejon më shumë hapa falsë. Përballja me Lincoln Red Imps, që ka tri pikë, merr kështu një rëndësi të veçantë: fitorja do të ishte jo vetëm historike, por edhe një hap konkret drejt objektivit për të vazhduar aventurën europiane.
Egnatia favorite
Në letër, rrogozhinasit kanë edhe avantazhin e vlerës së organikës. Sipas të dhënave të Transfermarkt, skuadra e Egnatias vlerësohet rreth 7.25 milionë euro, ndërsa ajo e Lincoln Red Imps rreth 2.18 milionë. Pra, një diferencë më shumë se trefish në favor të kampionëve shqiptarë. Megjithatë, kjo epërsi duhet përkthyer në fushë, ndaj një kundërshtari që vjen nga Gjibraltari me ambicie për të surprizuar. Edhe parashikimet e tregut e shohin Egnatian favorite. Kuotat e publikuara për këtë takim përkthehen në një probabilitet rreth 60 për qind për fitoren e skuadrës shqiptare, kundrejt afro 18 për qind për Lincoln Red Imps, ndërsa pjesa tjetër i takon barazimit. Shifra që konfirmojnë favorizimin e Egnatias, por jo garancinë e suksesit.
Një tjetër faktor që mund të bëjë diferencën është mbështetja nga shkallët e stadiumit. Klubi ka synuar të mobilizojë jo vetëm tifozët e Rrogozhinës, por futbolldashësit në të gjithë vendin, duke lançuar një ofertë speciale me bileta me çmim 200 lekë, e vlefshme deri më 20 nëntor. Apeli i klubit në këtë rast ishte i qartë: të gjithë bashkë për ta mbushur “Air Albanian” dhe për të mbështetur Egnatian në Europë.
Si vijnë dy skuadrat në përplasjen në ‘Air Albania’
Për skuadrën e Nevil Dedes, përballja me Lincoln Red Imps është një mundësi për të reaguar në Europë dhe për të marrë fitoren e parë në këtë fazë të kompeticionit. Dy barazime në tri takimet e para, përballë Midtjylland dhe Aarhus, u pasuan nga humbja 2-0 ndaj Universitatea Craiova. Një bilanc që e lë skuadrën rrogozhinase me vetëm dy pikë dhe me nevojën për të përshpejtuar hapin në tri sfidat e mbetura, nga të cilat kërkohen të paktën dy fitore, për të arritur kualifikimin, të paktën në playoff. Pas humbjes në kampionat ndaj Skënderbeut, Egnatia kërkon të rikthejë besimin pikërisht në Europë. Një sukses në këtë përballje do të ishte një hap i rëndësishëm për të mbajtur gjallë ëndrrën e vazhdimit të aventurës europiane, aq më tepër që edhe në ndeshjen e pestë do të presin në shtëpi Kauno Zalgiris.
Përballë do të jetë kampioni i Gjibraltarit, një kundërshtar që nuk duhet nënvlerësuar e që sezonin e kaluar shkoi në playoff me vetëm 7 pikë. Lincoln Red Imps ka tri pikë, të siguruara pas fitores surprizë 1-0 ndaj Hajduk Split, ndërsa më parë është mundur nga Brann dhe Twente. Kjo fitore dëshmon se ata kanë potencialin për të befasuar, ndaj Egnatias do t’i duhet përqendrim dhe konkretizim në rastet që krijon.