
Nga një kullë në formën e kokës së Skënderbeut te ligji i posaçëm për Teatrin Kombëtar, ndryshimi i Tiranës mban firmën e arkitektëve të huaj dhe gjurmën e ndërhyrjeve personale të Edi Ramës. Se si u ndërthurën të dyja e tregon gazetari holandez Vincent van Gerven Oei në librin "Torenhoog corrupt" («Korrupsioni në lartësitë e kullave»), të cilin e recensoi së fundmi gazetari Jos van Dijk në median holandeze Sargasso.
Një nga episodet që sjell recensioni është ai i masterplanit të Tiranës. Arkitekti italian Stefano Boeri i tregoi autorit se Rama e ftoi personalisht të merrte pjesë në konkursin e vitit 2016 dhe se kishin rënë dakord që të fitonte studioja e tij. Ky është një nga rastet me të cilat libri ilustron se si janë marrë deri tani vendimet për kryeqytetin.
Për arkitektët e huaj, Shqipëria ofroi lirinë për të realizuar projekte që vështirë se do të kalonin po aq lehtë gjetkë, shkruan Sargasso. Për qytetarët e Tiranës, pyetja që ngre recensioni është më konkrete. Kush vendosi çfarë do të ndërtohej në hapësirat e tyre publike dhe kush përfitoi prej saj? Më poshtë shkrimi i plotë i portalit sargaso.nl.
"Korrupsioni në lartësitë e kullave"

Autokratët megalomanë e kanë shprehur gjithnjë pushtetin e tyre absolut përmes arkitekturës së jashtëzakonshme. Dhe ende ka arkitektë që i dorëzohen tundimit për të punuar për ta. Shembujt më të fundit vijnë nga Shqipëria. Atje, kryeministri Edi Rama ka përdorur arkitektë holandezë, belgë dhe danezë për të hartuar plane megalomane të rinovimit urban, të cilat u kanë dhënë sipërmarrësve të korruptuar të ndërtimit mundësinë të pastrojnë paratë e drogës. SPAK, struktura shqiptare që heton korrupsionin, tani i ka duart plot me çështje si këto.
Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei, i cili jeton në Tiranë, i ndjek prej vitesh ambiciet artistike të Ramës. Libri i tij "Torenhoog corrupt" (Korrupsion deri në qiell) përmbledh artikujt që ka shkruar për Ramën dhe arkitekturën gjatë dhjetë viteve të fundit. Libri u prezantua së fundmi në Holandë. Në gazetën NRC, Melle van Maanen shkroi se «nën kryeministrin Edi Rama, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për arkitektët dhe arkitekturën. Por kritikët e akuzojnë për favorizim të miqve dhe për shitjen e tokave. Studiot holandeze të arkitekturës OMA, MVRDV dhe Cityförster po përballen me kritika të shumta».
"Torenhoog corrupt" mund të lexohet edhe si përgjigje ndaj botimit të Albanian Files, një libër prej 800 faqesh për njëzet vjet arkitekturë të huaj në Shqipëri. Arkitekti holandez Wouter Vanstiphout shkroi në De Architect se libri «tregon para së gjithash marrëdhënien e çuditshme mes arkitekturës dhe pushtetit. Prandaj është një portret zbulues i një grupi profesionistësh që e ngatërrojnë mungesën e kontrollit demokratik me lirinë e projektimit. Ai nxjerr në pah verbërinë morale të arkitektëve në kërkim të lirisë së projektimit».
Vanstiphout shkroi parathënien e "Torenhoog corrupt". Që prej kryengritjes së flamingove, kanë dalë në dritë më shumë hollësi për praktikat e dyshimta të qeverisë Rama. Por esetë e Van Gerven Oeit tregojnë se e gjithë kjo dihej prej shumë më kohësh, por nuk kishte depërtuar në botën e arkitekturës. Vetë Vanstiphout e kuptoi vetëm pasi në shkollën e tij u shfaq një «film hagiografik» për arkitekturën në Shqipëri. Shfaqja ndezi një përplasje të ashpër mes arkitektëve shqiptarë, të shpërfillur në vendin e tyre, dhe arkitektëve holandezë që, bashkë me Ramën, mburreshin me ndërtesat e bukura që kishin ngritur në Tiranë.
Edhe bukuria e pallateve gjigante që shihen në kryeqytetin shqiptar është e diskutueshme. Për shembull, studioja holandeze MVRDV projektoi një ndërtesë në formën e kokës së heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Vincent van Gerven Oei shkruan se kjo i kujton një rregull të përgjithshëm të artit. «Kur arti degjeneron në art oborri, kur u bën qejfin atyre që janë në pushtet dhe e shfaq pa turp servilizmin e vet, ai bëhet kiç (…) Literaliteti dhe karakteri njëpërmasor i këtyre projekteve dëshmojnë për një mungesë të plotë imagjinate dhe tregojnë se si korrupsioni dhe nepotizmi mpijnë intelektin dhe mendimin kritik». Në këtë kontekst, ai përmend edhe monumentet kiç kushtuar Aleksandrit të Madh në qendër të Shkupit, ku kryeministri i atëhershëm maqedonas, Gruevski, shfaqi megalomaninë e tij duke u ngritur gishtin e mesit maqedonasve grekë.
«Arti i oborrit» i Edi Ramës, siç lexojmë më tej në "Torenhoog corrupt", është rezultat i ndërhyrjes së ngushtë të kryeministrit në rizhvillimin e qytetit dhe të vendit të tij. Konkurset e arkitekturës nuk kanë më asnjë kuptim. Për shembull, në vitin 2016, arkitekti italian Boeri i tregoi Van Gerven Oeit se Rama e kishte zgjedhur për të hartuar masterplanin e Tiranës. Në dukje u zhvillua një konkurs, por «Edi Rama më kërkoi personalisht të merrja pjesë. Kishim rënë dakord që të fitonte studioja ime».
Rama ndërhyri gjerësisht edhe në ndërtimin e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Teatri duhej të ndërtohej në një truall që të ishte nën kontrollin e bashkisë, gjë që nuk ndodhi vetvetiu. Rama e zgjidhi këtë në parlament, përmes një ligji të posaçëm. Rinovimi urban gjatë dekadave të fundit u bë kryesisht duke bërë pazare me rregullat dhe procedurat, nën drejtimin e vetë Ramës. U përdorën fonde publike që u sollën privatëve fitime të konsiderueshme nga hapësira publike, ndërsa qytetarët shqiptarë nuk thanë dot asnjë fjalë në këtë proces.
Të gjithë arkitektët, shkruan Van Gerven Oei, e pranojnë këtë pa pikë turpi. «Ai po e trajton në të vetmen mënyrë të realizueshme, duke u përfshirë personalisht», shkruan Christian Kerez. «Bindja e kryeministrit Rama se arkitektura është pjesë thelbësore e së ardhmes së vendit përcakton tonin dhe ka një çiltërsi freskuese në mënyrën si trajtohen projektet», thotë arkitekti holandez Winy Maas. Van Gerven Oei citon edhe arkitektë të tjerë që i thurin lavde porositësit të tyre «vizionar».
«Si mendonin se një nga vendet më të varfra të Europës mund të ndërtonte rrokaqiejt më vizionarë?» shkruan Van Gerven Oei me dëshpërim. «Nga mendonin se vinin paratë? A i shqyrtuan me kujdes projektet e tyre, apo thjesht i morën paratë dhe shijuan lavdërimet e udhëheqësit të madh?»
Është mirë që rrëfimi tronditës i Vincent van Gervenit po merr tani më shumë vëmendje. Ai duhet të lexohet edhe në zyrat e Brukselit, përpara se të vazhdojnë t’i hapin rrugën Edi Ramën për në Bashkimin Europian./ Shkrimi i sargasso.nl, përshtatur nga Lapsi.al