
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka kërkuar deputetëve, drejtuesve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike mobilizim të plotë në mbështetje të protestave kundër qeverisë së Edi Ramës. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku pritet të diskutohet edhe buxheti, Berisha theksoi se protesta është një detyrim madhor i opozitës ndaj qytetarëve dhe se nuk mund të ketë paqe me atë që ai e cilësoi si diktaturë.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së vlerësoi qëndresën opozitare që nisi në dhjetor të vitit të kaluar dhe vijon ende, duke paralajmëruar se aksionet protestuese do të intensifikohen përballë qeverisë.
“Nuk mund të ketë kurrë paqe me diktaturën. Dhe Partia Demokratike duhet ta ketë të qartë se në kodin e saj të mbrojtjes së interesit të shqiptarëve, protesta mbetet, krahas vizionit të saj dhe organizimit, detyrim madhor para qytetarëve shqiptarë. Protestat janë të lodhshme, protestat kërkojnë sakrifica, por në narkodiktaturë, në një vend ku për regjimin nuk ekzistojnë ligje dhe Kushtetutë, opozita duhet të jetë në këmbë dhe në protestë”, deklaroi Berisha.
Ai u shpreh se protesta e nisur në dhjetor është një sukses i pamohueshëm dhe se PD-ja do të vijojë përballjen me qeverinë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se përdor shuma të mëdha parash për të shuar zërin e opozitës.
“Pse po e shtroj këtë? Po e shtroj këtë problem sepse koha, momenti, është suksesi i pamohueshëm i protestës që filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe që vazhdon edhe sot kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij. Në kushtet e një rreziku ekzistencial të vërtetë, ne do të reagojmë në mënyrë të pandryshueshme, me protesta sa më të fuqishme kundër këtij regjimi, i cili përdor dhjetëra dhe qindra milionë për të shuar zërin tonë, për të shuar zërin e popullit opozitar”, u shpreh kreu i demokratëve.
Berisha e cilësoi kryeministrin Rama si një rrezik për ekzistencën kombëtare, duke theksuar se opozita nuk duhet të shndërrohet në dekor të qeverisë, por të vijojë përballjen e drejtpërdrejtë me të.
“Edi Rama është një rrezik real për ekzistencën kombëtare, për ekzistencën tonë si komb në Shqipëri. Por në qoftë se ne nuk jemi në mënyrë të vazhdueshme dhëmbë për dhëmbë me të, dhe kjo nënkupton edhe protestën, ne nuk vlejmë. Ne nuk i duhemi gjë! Absolutisht, ne nuk mund të bëhemi dekor i një regjimi, por luftëtarë të pamposhtur kundër tij”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve paqësorë që kërkojnë të protestojnë para Kryeministrisë. Berisha ironizoi pretendimet se protestuesit mund të zhvillojnë tubimet në sheshin “Skënderbej”.
“Ju jeni dëshmitarë se çfarë dhune të egër përdor ai kundër protestuesve paqësorë, për fajin e vetëm, sipas tij, se guxojnë të dalin para Kryeministrisë. Se ai është sheshi i Kristaqit, sikur ia ka lënë Kristaqi atë shesh. Dhe dëgjoja hajdutë të tij nëpër media që thonë: ‘E kanë sheshin Skënderbej, ç’duan ata aty?’”, tha Berisha.
Një tjetër çështje që ngriti në mbledhjen e grupit parlamentar ishte ndalimi i pedagogut dhe kryetarit të Forumit të Intelektualëve, Ermal Hasimja. Berisha pretendoi se ndaj tij është ushtruar presion për shkak të mbështetjes ndaj protestës.
“Ndalojnë dhe intimidojnë, bëjnë presion ndaj kryetarit të Forumit të Intelektualëve, Ermal Hasimja, sepse është rreshtuar me protestën dhe e marrin sikur është në ndonjë aeroport armiqësor të huaj, e nxjerr policia dhe pastaj thotë: ‘Na fal, po për shkak të protestës e bëmë këtë’”, u shpreh kreu i PD-së.
Në përfundim, Berisha kërkoi angazhim të plotë të drejtuesve dhe deputetëve demokratë në mbështetje të protestuesve, duke theksuar se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet nga aksioni opozitar.
“Ndaj dhe Partia Demokratike, drejtuesit, deputetët, duhet të kenë një mobilizim total. Ne nuk tërhiqemi, ne do të qëndrojmë të pamposhtur”, përfundoi Sali Berisha.