
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, duke goditur disa grupe të dyshuara për shitjen e lëndëve narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente publike.
Pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, janë vënë në pranga 13 persona, të dyshuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim. Në kuadër të operacionit janë arrestuar Qamil Gusha, Fatjon Gokaj, Martin Pezerja, Abedin Sufaj, Lisart Draçini, Emanuel Marku, Sokol Kuçi, Izmir Tafili, Edilberto Fusha, Emiljan Fusha, Gjonfranko Krahishta, Lionis Marku dhe Mariglen Gjergji. Sipas Policisë, disa prej tyre kanë precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve u gjetën dhe u sekuestruan 1 kilogram e 670 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e ndarë në doza dhe e paketuar. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete, 14 telefona celularë, tri peshore elektronike dhe qese farmaceutike që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.