
Liderët e Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Bruksel për samitin e radhës, ku diskutimet do të përqendrohen te integrimi europian, reformat dhe forcimi i bashkëpunimit mes rajonit dhe BE-së. Takimi do të drejtohet nga presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.
Në fokus të bisedimeve do të jenë hapat që duhet të ndërmarrin vendet e rajonit për avancimin drejt anëtarësimit në BE, me theks te sundimi i ligjit, forcimi i institucioneve demokratike dhe përmbushja e reformave të kërkuara nga Brukseli.
Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit BE-ja ka vënë në dispozicion deri në 6 miliardë euro për mbështetjen ekonomike dhe zbatimin e reformave në vendet e rajonit.
Samiti do të zhvillohet pa pjesëmarrjen e Serbisë. Presidenti në detyrë i vendit dhe kryetari i Kuvendit, Aleksandar Čupić, ka bërë të ditur se nuk do të udhëtojë drejt Brukselit. Si arsye për mungesën e tij ka përmendur angazhimet parlamentare dhe kohën e pamjaftueshme për përgatitjen e takimit.