
Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e katërt të operacionit të koduar “Fireworks”, duke goditur një tjetër rast të posedimit dhe tregtimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike. Në pranga ka përfunduar një 25-vjeçar, i identifikuar me inicialet R. B., ndërsa një 21-vjeçar, me inicialet F. A., është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Sipas policisë, dy të rinjtë u ndaluan në rrugën “7 Nëntori”, teksa transportonin me dy automjete kuti me fishekzjarrë, të dyshuara si të kontrabanduara. Lënda piroteknike dyshohet se transportohej për llogari të 25-vjeçarit, me qëllim shitjen e saj.
Gjatë kontrolleve, uniformat blu konstatuan se fishekzjarrët nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës të blerjes, ndërsa dy shtetasit nuk ishin të pajisur me licencë për tregtimin e tyre.
Në vijim të operacionit, policia ushtroi kontroll edhe në banesën e 25-vjeçarit, ku gjeti kuti të tjera me lëndë piroteknike. Në total, u sekuestruan 21 kuti me fishekzjarrë, dy automjetet e përdorura për transportin, si dhe celulari i të arrestuarit. Policia bën me dije se hetimet dhe kontrollet vijojnë për identifikimin dhe goditjen e rasteve të tjera të kontrabandimit dhe tregtimit të paligjshëm të lëndëve piroteknike.