
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të enjte, në orën 10:00, në një seancë plenare ku pritet të hidhen në votim projektbuxheti i vitit 2027, paketa fiskale dhe një sërë nismash të tjera ligjore. Sipas rendit të ditës, të miratuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet në legjislacionin për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat. Projektbuxheti dhe ndryshimet fiskale do të votohen nen për nen dhe në tërësi.
Në fokus të seancës do të jenë edhe dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor. Njëri prej tyre parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, ndërsa tjetri përcakton shpërblimin e dëmeve civile të shkaktuara ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.
Pjesë e agjendës parlamentare janë gjithashtu projektligjet për rregullimin e tregjeve të kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, kontabilitetin në sektorin publik, si dhe mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare. Ligjvënësit do të diskutojnë edhe ngritjen e Liceut Francez të Korçës si institucion publik të arsimit të mesëm të lartë, ndryshimet në ligjin për kontrollin e punimeve të ndërtimit dhe pranimin e ndryshimeve të memorandumit të Parisit për kontrollin shtetëror portual. Në kuadër të fazës së dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, Kuvendi pritet të votojë edhe një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të ngarkuar me këtë proces.