
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe institucionet shtetërore për dështimin në përballimin e pasojave ekonomike që, sipas tij, vijnë nga qarkullimi i parave të krimit dhe zhvlerësimi i euros.
Në tryezën e organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, për fenomenin e narko-euros, lideri i demokratëve deklaroi se rënia e monedhës europiane po godet rëndë prodhimin, eksportet dhe investimet në Shqipëri, duke e cilësuar këtë fenomen më shkatërrimtar se piramidat e viteve ’90.
"Narko-euro sot kanë efekte më shkatërrimtare sesa piramidat e viteve ’90, efekte dramatike", - deklaroi ai, duke iu referuar të dhënave që, sipas tij, tregojnë zhvlerësim të euros dhe dollarit në Shqipëri në nivele shumë më të larta se në vendet e tjera.
Kryetari i PD-së tha se zhvlerësimi i monedhës europiane përbën një goditje të rëndë për ekonominë prodhuese dhe eksportuesit, të cilët përballen me shpenzime në lekë dhe të ardhura në euro.
"Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, investimet, mbi investimet dhe eksportin’, u shpreh Berisha, duke argumentuar se humbja e vlerës së euros po rëndon mbi bizneset dhe po dëmton konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
Ai i’u referua gjithashtu të dhënave për rënien e prodhimit industrial dhe eksporteve, duke deklaruar se Shqipëria është ndër vendet me rënien më të madhe të prodhimit në Europë. Sipas Berishës, kjo situatë ka ndikuar në falimentimin e bizneseve, humbjen e vendeve të punës dhe largimin e shqiptarëve.
Berisha kritikoi ashpër Bankën e Shqipërisë, duke e akuzuar për dështim në politikën monetare dhe për heshtje ndaj pasojave të zhvlerësimit të euros. Ai tha se institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe luftën kundër pastrimit të parave po injorojnë fenomenin.
Ai i bëri thirrje Komisionit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare të analizojnë situatën në Shqipëri. ‘I bëj thirrje Komisionit Europian të mos dëgjojë burokratët (…) Të analizojë gjendjen në Shqipëri, se një narkoshtet është rrezik i madh edhe për rajonin edhe për Bashkimin Europian’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha. /LAPSI.al