
Gazeta italiane “Corriere della Sera” raportoi të mërkurën se një anije e tretë u godit nga dronë detarë ukrainas pranë Bengazit në Libi, gjatë operacionit për të fundosur një anije luftarake ruse dhe një cisternë në të njëjtën zonë.
Anija e mallrave besohet të jetë pjesë e një operacioni iranian kontrabande për të transportuar pajisje të përparuara elektronike për dronë nga Kina dhe India në Libi. Aty dronët do të ripaketoheshin dhe do të dërgoheshin në Iran.
Anija “Alvan” me flamur iranian u regjistrua në brigjet e Bengazit të dielën, ku u godit nga ukrainasit për llogari të Shteteve të Bashkuara, sipas gazetës italiane. Ndryshe nga sulmet e anijeve të tjera, Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë e kësaj e goditjes së anijes iraniane.
Për sulmin u akuzua edhe Shqipëria, por Tirana zyrtare hodhi poshtë lajmet se dronët ishin nisur nga Vlora.
Anija “Alvan” ka qenë nën sanksione të SHBA-së që të paktën nga viti 2020. Ajo anashkalon bllokadën amerikane të Ngushticës së Hormuzit duke u zhdukur dhe rishfaqur vazhdimisht me emra të ndryshëm.
Sipas raporteve, administrata Trump ka kërkuar që udhëheqësi libian Khalifa Haftar të ndalojë marrjen e pajisjeve ushtarake nga Irani, por pa sukses. Kjo besohet të jetë pjesë e përpjekjeve të Haftarit për riarmatim.
Ai planifikon të marrë kontrollin e Libisë perëndimore pasi deshtoi ta bënte këtë 6 vjet më parë për shkak të ndërhyrjes turke. Gjërat tani janë ndryshe. Haftar ishte të mërkurën në Ankara për t'u takuar me zyrtarë të lartë turq të sigurisë, pasi marrëdhëniet e tij me Ankaranë po përmirësohen ndjeshëm. ©LAPSI.al