Flash

Paketa fiskale 2027, 29 organizata kërkojnë rishikimin e tatimit mbi pagat

Lapsi.al 26 November 2026

Paketa fiskale 2027, 29 organizata kërkojnë rishikimin e tatimit mbi

Në prag të votimit të paketës fiskale për vitin 2027 në Kuvend, 29 shoqata biznesi, sindikata dhe organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar qeverisë të rishikojë formulën e tatimit mbi pagat e ulëta, duke ngritur shqetësime edhe për ndikimin e ndryshimeve fiskale në çmimet e konsumit. Përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave Petrit Malaj dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, organizatat paralajmërojnë se sistemi aktual i tatimit krijon situata ku rritja e pagës bruto shoqërohet me uljen e të ardhurave që punonjësit marrin në dorë.

Nisma, e ndërmarrë nga Shoqata ProEksport Albania, vjen pasi paketa fiskale mori miratimin në Komisionin e Ekonomisë të premten e kaluar, ndërsa sot, më 26 nëntor, pritet të hidhet në votim në seancën plenare.

Për të ilustruar problemin, organizatat kanë marrë si shembull një punonjës me pagë bruto prej 50 mijë lekësh në muaj, i cili pas zbritjes së kontributeve merr 44 400 lekë neto. Nëse paga bruto rritet në 51 mijë lekë, të ardhurat neto zbresin në 43 208 lekë, për shkak të mënyrës së përllogaritjes së tatimit. Pra, një rritje prej 1 000 lekësh e pagës bruto përkthehet në 1 192 lekë më pak në muaj për punëmarrësin.

Për këtë arsye, organizatat kërkojnë që tatimi të aplikohet vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon pragun e patatueshëm. Ato kërkojnë gjithashtu që ky prag të rritet automatikisht sa herë ndryshon paga minimale, në mënyrë që punonjësit e kësaj kategorie të mos përfshihen në skemën e tatimit.

Sipas nënshkruesve të letrës, ndërsa formula për pagat e ulëta mbetet e pandryshuar, paketa e re fiskale parashikon lehtësi për punonjësit me të ardhura mbi 200 mijë lekë në muaj. Konkretisht, një punonjës me pagë bruto prej 100 mijë lekësh do të vijojë të paguajë 9 100 lekë tatim në muaj, ndërsa për një pagë prej 300 mijë lekësh, detyrimi mujor reduktohet me 10 mijë lekë.

Shqetësime për rritjen e çmimeve

Kundërshtimet e organizatave shtrihen edhe te ndryshimet e propozuara në TVSH dhe tatimin mbi dividendin.

Megjithëse paketa parashikon uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për disa produkte të shportës ushqimore, përfaqësuesit e organizatave kërkojnë garanci që kjo lehtësi fiskale të reflektohet në çmimet për konsumatorët.

Ata kërkojnë që Ministria e Financave të vlerësojë efektin e kombinuar të rritjes së TVSH-së standarde nga 20% në 21%, përgjysmimit të pragut të regjistrimit të bizneseve në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore dhe rritjes së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.

Sipas organizatave, ekziston rreziku që bizneset t'ua transferojnë konsumatorëve një pjesë të kostove shtesë përmes rritjes së çmimeve. Për këtë arsye, ato kërkojnë edhe një analizë të ndikimit që do të kishte një rritje e mundshme me 15–20% e çmimeve të disa produkteve dhe shërbimeve në buxhetin mujor të familjeve shqiptare.

Gjashtë kërkesat drejtuar qeverisë dhe Kuvendit

Përjashtimi i pagës minimale nga tatimi dhe përshtatja automatike e pragut të patatueshëm me çdo rritje të saj.

Tatimi i pagave të ulëta vetëm për pjesën që tejkalon pragun e patatueshëm.

Publikimi i një analize mbi ndikimin e ndryshimeve fiskale te punëmarrësit, familjet dhe bizneset e vogla.

Publikimi i listës së produkteve që do të përfitojnë TVSH-në e reduktuar në 6% dhe monitorimi mujor i çmimeve gjatë gjashtë muajve të parë.

Organizimi i një seance dëgjimore me përfaqësuesit e punëmarrësve, konsumatorëve, bizneseve të vogla dhe shoqërisë civile.

Marrja në konsideratë e standardeve europiane për pagën minimale në hartimin e politikave të ardhshme të pagave.

Të këshilluara

ide

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

89.68

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI