
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 2 089 kilogramë produkte ushqimore në një subjekt të përpunimit të mishit në Fier, pas konstatimit të një sërë shkeljesh higjieno-sanitare dhe mungesës së dokumentacionit të nevojshëm për gjurmueshmërinë e produkteve.
Sipas njoftimit të AKU-së, sasia e bllokuar përfshin 1.629 kilogramë produkt gjiro, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë kima mish pule, të cilat do të asgjësohen. Për këtë subjekt, është vendosur një gjobë prej 1 milion lekësh, si dhe është ndërprerë pjesërisht aktiviteti në ambientet ku janë konstatuar problematikat. AKU bën me dije se kontrolli është kryer në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik të Policisë së Fierit, pas informacionit të përcjellë nga Prokuroria.
Gjatë inspektimit në këtë subjekt janë evidentuar mungesa të kushteve higjieno-sanitare dhe të ruajtjes së produkteve, si dhe mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor. Gjithashtu, subjekti dyshohet se nuk kishte zbatuar plotësisht sistemin e vetëkontrollit HACCP dhe nuk kishte përmbushur përgjegjësitë që i takojnë operatorit të biznesit ushqimor.
Për këto shkelje, AKU ka vendosur bllokimin e produkteve dhe masat administrative përkatëse, ndërsa sasia e sekuestruar do të asgjësohet.
Kontrolle janë ushtruar edhe në qarqet Shkodër dhe Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik. Në Shkodër, në një subjekt me aktivitet përpunimin e mishit, është konstatuar mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, për të cilën është vendosur gjobë prej 100 mijë lekësh.
Ndërsa në Durrës, në një kompani, që ushtron aktivitetin në tregtimin e frutave të thata, inspektorët kanë evidentuar mungesë gjurmueshmërie, moszbatim të sistemit HACCP dhe mangësi në përmbushjen e përgjegjësive të operatorit ushqimor, duke vendosur një gjobë prej 300 mijë lekësh.
Në njoftimin zyrtar, AKU bën me dije se përgjatë dy ditëve janë inspektuar gjithsej 160 subjekte në të gjithë vendin, prej të cilave 50 me origjinë shtazore, 78 me origjinë jo-shtazore dhe 32 subjekte MBIB. Si rezultat i kontrolleve janë vendosur 9 masa administrative me paralajmërim për shkelje të lehta dhe 8 gjoba me vlerë totale 1 milion e 460 mijë lekë.
Masa administrative janë marrë edhe ndaj Kopshtit nr. 3 në Peshkopi dhe Spitalit Civil të Peshkopisë, me gjoba nga 30 mijë lekë secili, për mosrealizimin e detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se kontrollet do të vijojnë dhe se subjektet e inspektuara do të jenë në monitorim të vazhdueshëm për respektimin e legjislacionit dhe garantimin e sigurisë ushqimore.