Flash

Lubonja zbulon mekanizmin si mund të bashkohet opozita në zgjedhje

Lapsi.al 26 November 2026

Lubonja zbulon mekanizmin si mund të bashkohet opozita në zgjedhje

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Prime News24”, komentoi zhvillimet politike në vend, përçarjen brenda Partisë Socialiste dhe mungesën e një fronti të përbashkët opozitar përballë Edi Ramës.

Lubonja u shpreh se, pas gjithë zhvillimeve dhe skandaleve të ndodhura, Partia Socialiste duhet të kishte përmbysur gjithçka brenda saj, ndërsa theksoi se përçarja në këtë forcë politike ka një kuptim më të gjerë sesa largimet e fundit. Ai i krahasoi personat që po dalin kundër linjës së partisë me disidentët e dikurshëm, të cilët regjimi i Enver Hoxhës i shpallte armiq.

“Me çfarë ka ndodhur, PS-ja duhet të kishte përmbysur gjithçka. Përçarja ka një kuptim më të gjerë se largimet që kanë ndodhur në PS. Këta dikur quheshin disidentë dhe Enver Hoxha nxirrte nga një si armik. Këtu ndoshta do ta kundërshtoj idenë se këta duan të marrin partinë që të rrijë partia”, u shpreh Lubonja.

Duke folur për mundësinë e bashkimit të opozitës dhe forcave që janë bërë pjesë e protestave, analisti tha se një proces i tillë është ende larg, pasi deri më tani nuk ka pasur një përpjekje të sinqertë për të bashkuar të gjitha grupimet.

Ai kritikoi edhe përpjekjet e disa grupeve për të përfituar nga energjia e protestës dhe për të krijuar parti të reja, duke i cilësuar këto nisma si vendosje të interesave individuale mbi nevojën për një bashkim më të gjerë.

“Siç e shikoj unë, bashkimi është larg nëse duam vërtet bashkim. Nëse shkojmë me iluzione, krijime apo edhe manipulime, nuk ecën. Kanë dalë shumë grupe që thoshin të marrim energjinë e këtyre, bëjmë një parti dhe dalim lidera të tyre. Kjo ishte qasje që vendoste interesat e disave mbi interesat e bashkimit të vërtetë”, deklaroi ai.

Lubonja theksoi se bashkimi duhet të përfshijë jo vetëm grupimet e reja dhe protestuesit, por edhe partitë opozitare, duke përmendur Adriatik Lapajn, Arlind Qorin, Agron Shehajn dhe Partinë Demokratike. Sipas tij, pavarësisht pjesëmarrjes së këtyre forcave në protesta, deri më tani nuk është arritur të krijohet një përfaqësi e përbashkët.

Ai kujtoi se në protesta kanë marrë pjesë deri në 100 mijë persona, të cilët, sipas tij, kërkojnë një alternativë që t’i bashkojë dhe t’i përfaqësojë. Në këtë kuadër, Lubonja propozoi krijimin e një qeverie teknike, jo për të qeverisur për një periudhë të gjatë, por për të çliruar institucionet nga ndikimi i asaj që ai e cilësoi si “banda” dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të reja.

“Kur mendohet për një bashkim të të gjitha këtyre forcave opozitare, jo për të qeverisur për një kohë të gjatë, por për të nxjerrë një qeveri teknike, për të pastruar kapjet e bandës që të krijojë kushtet për zgjedhjet e reja, këtë gjë nuk e shoh. Është në embrion energji, protagonizma që nuk dinë të bashkohen”, tha analisti.

Si zgjidhje për kapërcimin e përçarjeve, Lubonja hodhi idenë e krijimit të një këshilli bashkiak, ku të përfaqësohen të gjitha forcat politike dhe grupimet që janë pjesë e protestës. Sipas tij, bashkimi nuk duhet të mbështetet te gjetja e një figure të vetme që do të udhëheqë të gjithë, por te një marrëveshje për parimet, përfaqësimin dhe projektin e përbashkët.

Ai sugjeroi që Partia Demokratike të mos këmbëngulë për kandidatin e saj, nëse ekziston një kandidat tjetër ku mund të gjejnë veten protestuesit dhe forcat e tjera opozitare.

“Formula ime nuk është një njeri për bashkimin e të gjithëve, por është një këshill bashkiak. Për të hequr edhe idenë që do të dalë një person ideal, por të jetë një këshill bashkiak. Ky është edhe një mundësi shumë më e mirë për t’i bashkuar të gjithë këta që përmenda, nga PD-ja gjer te protesta”, u shpreh Lubonja.

Sipas tij, fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje mes të gjitha grupimeve dhe më pas të përcaktohet kandidati që do të përfaqësojë këtë front. Ai nënvizoi se PD-ja dhe partitë e tjera duhet të jenë të gatshme të tërhiqen nga kandidatët e tyre, nëse gjendet një emër që pranohet nga të gjithë.

Gjatë bisedës, Lubonja u pyet edhe nëse do të pranonte të ishte vetë kandidat për të bashkuar opozitën. Ai e refuzoi këtë mundësi, duke thënë se nuk duhet të kërkohet një emër thjesht për të plotësuar nevojën e momentit.

“Nëse më fusin për të thënë ‘e fusim këtë se na duhet’, them jo. Unë kam dhe kufizimet e mia. Duhet një i ri atje, të ketë besimin e këtyre grupimeve. Ka njerëz që e kanë atje. Ideja ime është prapë, jo te njeriu. Duhen diskutuar kriteret”, u përgjigj ai.

Në përfundim, analisti theksoi se krahas përcaktimit të kandidatit dhe krijimit të një këshilli përfaqësues, duhet të diskutohet edhe projekti konkret i qeverisjes. Sipas tij, nevojitet një kandidat me një program bindës, i cili të mund të pranohet nga të gjitha forcat që synojnë të krijojnë një alternativë të përbashkët politike. /BW

Të këshilluara

ide

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

89.76

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI