
Një tas i rrallë prej porcelani në formën e gjoksit të një gruaje, i bërë me porosi për mbretëreshën e fundit të Francës, Marie Antoinette, në fund të shekullit të 18-të, u shit për 2.9 milionë euro në një ankand në Paris të martën, tha shtëpia e ankandeve “Drouot”.
Shuma është një rekord botëror për një artikull prej porcelani Sevres të shitur në ankand, tha Drouot, pa zbuluar identitetin e blerësit.
Tasi prej porcelani u zbulua rastësisht gjatë një inventari në Galerinë Meyer, pasi kishte qenë e zhdukur për 2 shekuj. Ky tas në formë gjoksi u porosit nga Luigji XVI për bulmetoren e Marie Antoinette në Rambuje, pranë Parisit.
Organizatorët e ankandit njoftuan se do të dhurojnë një pjesë të të ardhurave për shoqatën “Ruban Rose” për parandalimin e kancerit të gjirit. ©LAPSI.al