
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 81 vota pro dhe asnjë kundër projektligjin për donacionet dhe sponsorizimet, pas një seance maratonë të shoqëruar me debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.
Ligji i ri synon të nxisë financimin privat përmes sponsorizimeve, duke u dhënë bizneseve që paguajnë tatim mbi fitimin mundësinë të zbresin nga detyrimi tatimor shumat e sponsorizuara, deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës.
Skema parashikon mbështetjen jo vetëm të sportit, artit dhe kulturës, por edhe të arsimit, kërkimit shkencor, shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.Një tjetër risi është krijimi i një regjistri elektronik kombëtar për monitorimin e donacioneve dhe sponsorizimeve, me synim rritjen e transparencës dhe kontrollin e lëvizjes së fondeve. Ligji parashikon gjithashtu ndalimin e kontributeve anonime dhe dokumentimin e pagesave përmes sistemit bankar.