
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian, duke theksuar se rajoni po hyn në një fazë të re të zgjerimit, me mundësi konkrete për avancimin drejt anëtarësimit në BE. Në fjalën e saj në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, Kos u ndal veçanërisht te perspektiva e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke deklaruar se viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse vendi vijon me zbatimin e reformave, veçanërisht në shtetin e së drejtës, drejtësi dhe mjedis.
“Ky moment është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Natyrisht që në të gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme, të cilat e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investuesit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, në vitin 2013, BE-ja po përgatitet që të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor. Zoti Michel, keni të drejtë, ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030 dhe, edhe një herë tjetër, kishit të drejtë.
Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit që verën e ardhshme. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit", tha Kos.