
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka deklaruar se SPAK ka nisur hetimet për dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës, si dhe për rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për mediat, pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Kapri e cilësoi këtë zhvillim si një lajm të mirë për drejtësinë dhe protestuesit.
Kapri bëri të ditur se në kallëzimin e depozituar është përfshirë edhe drejtori i Policisë së Shtetit, të cilin e akuzon për përgjegjësi në urdhrat dhe sjelljen e punonjësve të policisë gjatë protestës. Në përfundim, deputeti u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme, duke theksuar se bëhet fjalë për protestën e tretë të muajit nëntor.
“Lajm i mirë është që Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim për dhunën policore dhe për rolin e drejtorit të përgjithshëm në raport me dhunën barbare që është ushtruar në protestë. Ky është lajm dyfish i mirë pas vendimit të GJK ditë e djeshme ku u vendos pezullimi i aktit normativ.
Fakti që SPAK nis hetim ndaj drejtuesit më të lartë të policisë ky është lajm i mirë për drejtësinë, por edhe për protestuesit. I bëj thirrje që nesër të dalin në protestë sepse ky është nëntori i tretë. Kemi kallëzuar drejtorin e policisë, i cili ushtron detyrën dhe jep urdhrat për sjelljen e punonjësve të policisë”, tha Kapri.