Flash

Rekord në derbi, katër penallti për Partizanin: dërrmohet Dinamo, Daja i braktisur nga lojtarët

Në “Elbasan Arena”, skuadra e drejtuar nga Mislav Karoglan arriti të triumfonte me shifrat 1-4, në një takim ku vëmendjen kryesore e morën katër penalltitë e fituara nga të kuqtë.

Lapsi.al 27 November 2026

Rekord në derbi, katër penallti për Partizanin: dërrmohet

Derbi mes Dinamos dhe Partizanit prodhoi një nga ndeshjet më të pazakonta të kampionatit shqiptar. Në “Elbasan Arena”, skuadra e drejtuar nga Mislav Karoglan arriti të triumfonte me shifrat 1-4, në një takim ku vëmendjen kryesore e morën katër penalltitë e fituara nga të kuqtë. Një përballje e pazakontë në “Elbasan Arena”, ku Partizani përfitoi nga katër penallti të akorduara në favorin e tij, një episod që nuk ishte regjistruar më parë në një derbi të kryeqytetit brenda 90 minutave. Aldo Teqja priti dy 11-metërsh, por Fadairo dhe Xhuliano Skuka vulosën triumfin e të kuqve. Dinamo zhytet më tej në krizë me humbjen e tretë radhazi dhe Daja, përveçse i pezulluar, duke edhe i braktisur nga lojtarët e tij.

Një situatë e rrallë për futbollin shqiptar, pasi në të njëjtën ndeshje dhe brenda 90 minutave, Partizanit iu dhanë katër mundësi nga pika e bardhë. Dy prej tyre përfunduan pa gol, falë ndërhyrjeve të Aldo Teqjas, ndërsa dy të tjerat u shndërruan në realizime. Megjithatë, historia e kësaj sfide nuk u kufizua vetëm te 11-metërshat, pasi Partizani tregoi efikasitet në momentet vendimtare dhe arriti të merrte një fitore me diferencë të thellë.

Murataj ndëshkon Dinamon, Partizani mbyll pjesën e parë në avantazh

Pavarësisht rezultatit përfundimtar, ishte Dinamo ajo që u shfaq më kërkuese në minutat e para. Dinamovitët tentuan të merrnin kontrollin e lojës dhe krijuan dy mundësi me Ruçin, por pa arritur të gjenin rrjetën. Partizani u tregua më konkret dhe në minutën e 33' gjeti golin e avantazhit. Një moment paqartësie në mbrojtjen dhe portën dinamovite u shfrytëzua nga Valentino Murataj, i cili goditi saktë me kokë drejt portës së boshatisur, duke kaluar të kuqtë në epërsi.

Në fundin e pjesës së parë, skuadra e Mislav Karoglan pati mundësinë ideale për të shkuar në dhomat e zhveshjes me dy gola diferencë. Gjyqtari Klodian Shahini akordoi penalltinë e parë pas një ndërhyrjeje të Aldo Teqjas ndaj Altin Aliut. Ky i fundit mori përsipër ekzekutimin, por portieri i Dinamos lexoi goditjen dhe shmangu golin e dytë.

Dy penallti të humbura, por Aliu ndëshkon nga distanca

Pjesa e dytë do të sillte një skenar edhe më të pazakontë. Partizani fitoi penalltinë e dytë, këtë herë pas një ndërhyrjeje të Ysni Ismailit ndaj Altin Aliut. Përgjegjësinë e ekzekutimit e mori Hjumen, por edhe në këtë rast Aldo Teqja u bë protagonist, duke pritur goditjen dhe duke mbajtur Dinamon ende në lojë.

Megjithatë, gëzimi i portierit dinamovit zgjati shumë pak. Menjëherë pas penalltisë së humbur, Altin Aliu realizoi një gol spektakolar nga distanca, duke mposhtur Teqjan dhe duke dyfishuar shifrat. Një goditje që ndryshoi ndjeshëm situatën e takimit, pasi Partizani kaloi në avantazh të dyfishtë në një moment kur Dinamo kishte ende shpresa për rikthimin.

 

Katër penallti për të kuqtë, Fadairo dhe Skuka vulosin rezultatin

Seria e 11-metërshave nuk përfundoi me dy rastet e para. Ysni Ismaili u bë sërish protagonist, pasi shkaktoi një tjetër penallti, këtë herë pas ndërhyrjes ndaj Sidibe. Nga pika e bardhë u paraqit Fadairo, i cili nuk gaboi dhe dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 0-3.

Ndërkohë, mundësia e katërt dhe e fundit për Partizanin erdhi pas një tjetër episodi në zonën e Dinamos. Xhuliano Skuka fitoi penalltinë, ndërsa ndërhyrja që çoi në vendimin e gjyqtarit u shkaktua nga Aldo Teqja. Këtë herë sulmuesi i të kuqve mori përsipër goditjen dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke kompletuar fitoren 1-4 të Partizanit. 

 

Katër penallti të akorduara për të njëjtën skuadër brenda një derbi, një rekord që i dha kësaj përballjeje një vend të veçantë në historinë e sfidave mes dy ekipeve të kryeqytetit.

 

Dy episode të diskutueshme që shoqëruan ndeshjen

Përtej vendimeve të shumta nga pika e bardhë, sfida pati edhe episode të tjera që mund të diskutohen gjatë analizës së arbitrimit. Në rastin e penalltisë së dytë të shkaktuar nga Ysni Ismaili, u evidentua mungesa e një kartoni të dytë të verdhë për lojtarin e Dinamos.

Nga ana tjetër, Aldo Teqja shmangu ndëshkimin me karton të kuq në momentin kur shkaktoi penalltinë ndaj Xhuliano Skukës. Portieri dinamovit ishte në një situatë ku mund të konsiderohej ndërhyrja ndaj kundërshtarit si lojtar i fundit, por gjyqtari nuk vendosi ta largonte nga fusha. Këto episode i shtuan diskutimet rreth një ndeshjeje që gjithsesi do të mbahet mend kryesisht për numrin e pazakontë të penalltive të akorduara.

Partizani merr frymë në klasifikim, Dinamo regjistron humbjen e tretë radhazi

Përtej historisë së shkruar në derbi, fitorja ka një rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për pozitat e Partizanit në kampionat. Me tri pikët e marra në javën e 13-të të “Abissnet Superiore”, skuadra e Mislav Karoglan shkon në kuotën e 13 pikëve dhe renditet në vendin e nëntë, me pikë të barabarta me Vorën, që mban pozicionin e tetë. Ky triumf përfaqëson një reagim të rëndësishëm për të kuqtë, të cilët kishin nevojë për një rezultat të tillë për të ndryshuar ecurinë dhe për të fituar terren në klasifikim. Diferenca e tre golave në një derbi i jep skuadrës edhe një shtysë morale në vazhdimësinë e sezonit.

Situata është krejt ndryshe për Dinamon. Skuadra kryeqytetase pëson humbjen e tretë radhazi dhe mbetet në vendin e pestë me 17 pikë. Përtej rezultatit të rëndë, mënyra se si erdhi kjo humbje ngre pikëpyetje për vazhdimësinë e ekipit, i cili duhet të gjejë sa më shpejt një reagim për të mos rrezikuar të humbasë më shumë terren në garën e kampionatit. Një derbi që nisi me pretendime për një përballje të fortë mes dy rivalëve të kryeqytetit, por përfundoi duke u kthyer në një natë rekordesh për Partizanin dhe një tjetër sinjal alarmi për Dinamon.

Të këshilluara

ide

Miti i liderit të pazëvendësueshëm

Mediat tona tradicionale riprodhojnë mitologjinë e liderëve të pazëvendësueshëm në opozitë dhe pushtet, duke e reduktuar debatin tek dikotomitë personale Rama-Berisha, Berisha-Nano, Berisha-Meta, apo Rama-Meta sipas lidhjeve dhe interesave të tyre të çastit. Ato u flasin qytetarëve vetëm që të dëgjojnë kryetarët

19:48 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

89.76

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Plani për kontrollin e bashkisë/ Çfarë loje po luan Veliaj

Ç ’fshihet pas valës së spastrimeve në bashki? Çfarë simbolizon zëvendësimi në IKMT i një militanti patronazhist si Rigers Sheqeri me një besnik të Lalit si Halit Valteri? Pyetja që shtrohet: A mos Veliaj po mendon të dalë me një kandidat të mbështetur prej tij në garën për Tiranën?

14:39

Kuvendi miraton me 80 vota paketën, nga TVSH-ja 21% te dividendi 15% si ndryshojnë taksat

Pavarësisht se paketa e re fiskale hasi kundërshtime nga 16 Dhoma Tregtie dhe shoqata biznesi të cilët kërkuan rishikimin e masave të propozuara, shtyrjen e zbatimit të tyre dhe më shumë konsultime përpara miratimit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi  me 80 vota pro Paketën Fiskale 2027, e cila sjell ndryshime në pesë ligje që lidhen me […]

07:04

Me sytë katër

PAPARAZZI