
Shefja e Financës në Filialin e Postës së Durrësit, Valbona Duni, ka dhënë një version të saj për mënyrën se si janë kryer veprimet me mandatpagesat për degët e Shijakut dhe Krujës. Në dëshminë e saj, ajo pretendon se kishte vepruar me urdhër verbal të ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe se kjo e fundit merrte paratë pasi ato dërgoheshin në zyrën e saj. Duni pranon gjithashtu se firmat e arkëtareve të degëve përkatëse në disa mandatpagesa nuk ishin të tyre.
Në emisionin “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala, u trajtua dëshmia e shefes së Financës, Valbona Duni, e cila ia atribuoi përgjegjësinë për marrjen e parave ish-drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa pranoi se firmat e arkëtareve Shijak dhe Krujë ishin falsifikuar.
Pjesë nga dokumentari:
Valbona Duni
‘Në fund të muajit Mars 2026 ne kemi mbyllur bilancin vjetor të vitit 2025 të Durrësit, Shijakut, Krujës nga ku ka rezultuar se kisha për t’i likujduar Shijakut vlerën e 55 000 000 lekëve, ndërsa për Krujën vlerën e 1 000 000 lekëve, të cilat unë duhet t’ja ktheja pjesë pjesë.
Në muajt Janar ose Shkurt 2026, Dega Krujë më ka kaluar për efekt likujdimi me Drejtorinë e Përgjithshme Tiranë një shumë prej 22 000 000 lekësh, që i ka kaluar kësaj të fundit me bankë.
Për këto arsye kam filluar të kryej mandat pagesa për degën e Shijakut në vlera të ndryshme në një shumë totale prej 56 000 000 lekësh në periudhën Prill-Maj 2026.
Ndërkohë që degës Krujë i kam bërë dy mandate pagesa në muajt Prill dhe Maj 2026 në shumat 10 000 000 dhe 3 000 000
Sipas shefes së Financës në Filialin e Postës Durrës, të gjitha këto shuma janë transferuar sipas mandat pagesave në degët Shijak dhe Krujë nga ana e drejtoreshës, Elisabeta Mataj.
Valbona Duni
‘Drejtoresha Elisabeta Mataj më ka thënë se këto shuma do i çojmë ne, pasi Shoqëria e Sigurisë Fizike e kishte tejkaluar numrin e rrugëve të parashikuara.
Për këtë shkak unë me urdhër verbal të Elisabeta Mataj kam shkuar tek arka dhe i kam thënë arkëtares Paola Dana të më bësh fondin për degët Shijak dhe Krujë duke i kërkuar prerjen e mandat pagesës për shifrën përkatëse.
Arkëtarja ka bërë gati dërgesën dhe unë kam shkuar i kam marrë vlerat monetare duke i futur në zyrën time ku e pranishme ka qenë dhe shtetasja L. Z, llogaritarja e parë.
Ndërkohë që në zyrën time vinte drejtoresha Elisabeta Mataj shikonte thesin dhe e fuste në çantën personale pasi bënte numërimin e lekëve.
Ajo asnjëherë nuk e ka marrë thesin me të holla siç e kam marrë unë dorë, por të futur në çantë. Në një rast e ka marrë të mbështjellë me një xhup bezhë që e mbante në dorë. Në të shumtën e rasteve është larguar menjëherë nga institucioni.
Pra nga sa kuptohet shefja e Financës thotë se i ka besuar urdhërit verbal të Drejtoreshës, Elisabeta Mataj.
Një urdhër absurd për këdo që do vihej përballë, ku paratë nuk do çoheshin nëpërmjet makinave të blinduara të shoqërisë fizike, në degët e postave Shijak dhe Krujë, por do i dërgonte vetë Drejtoresha me mjetet e saj, që ishin më të sigurta se ato të shoqërive të ruajtjes së parave.
Një urdhër që shefja e Financave thotë se e kishte besuar dhe zbatuar. Dhe pikërisht këtu shefja e Financave kupton, sipas saj që Elisabeta Mataj, nuk i kishte dërguar paratë në degën e postës në Shijak dhe në Krujë.
Valbona Duni
‘Në fillim të muajit Qershor 2026 unë pata një kolaps me Drejtorinë e ASHK me xhirimet dhe direkt i kërkoj Shijakut të më bëjë transfertë për likujdim me Drejtorinë.
Në këtë moment arkëtarja e Shijakut më thotë që më ke detyrime dhe nuk të bëj dot transfertë.
Menjëherë hyra në sistem dhe konstatova se në zërin ‘llogari të brendshme të ndërmjetme’ pashë se Dega Shijak kishte më pak mandate se ato që kisha prerë unë.
Direkt kam lajmëruar drejtoreshën Elisabeta Mataj. Kjo e fundit në fillim nuk foli fare. Më pas Drejtoria e Përgjithshme e Postës më mori në telefon duke më pyetur se çfarë probleme kisha me likujdimin e ASHK.
Me këtë rast njoftova përsëri Elisabeta Mataj e cila me arrogancë më tha se nuk di gjë shikoje vetë. Këtu më pas lajmërova Drejtorinë e Përgjithshme të Postës.
E pyetur në lidhje me mandat pagesat e firmosura prej saj, por ku ndodhen edhe dy firmat e arkëtareve të degëve Shijak dhe Krujë, shefja e Financës, Valbona Duni, pranoi se ato ishin firmosur prej saj, drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe specialistes Paola Dana.
Ndërsa po kështu pranoi se firmat e hedhura nga arkëtaret e Shijakut F. N dhe ajo e Krujës V. G, nuk janë të këtyre të fundit. Por janë të falsifikuara.
Valbona Duni
‘Në lidhje me nënshkrimin tim e konfirmoj si autentike, po ashtu nenshkrimi i Elisabeta Mataj dhe Paola Danës, ndërkohë që për arkëtaren e Shijakut F. N dhe atë të Krujës V. G nuk janë firmat e tyre.
Këto mandate janë nënshkruar para se të dilnin nga zyra e Filialit Durrës nga unë, arkëtarja Paola Dana dhe drejtoresha e Filiallit Durrës Elisabeta Mataj, me përjashtim të mandateve të datave 7, 12 dhe 21 Maj 2026, të cilat kanë ngelur pa firmë pasi nuk janë nënshkruar nga Drejtoresha.
Sqaroj se mandat pagesat nënshkruhen fillimisht nga unë dhe arkëtarja dhe i çohen në zyrë Drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila bën nënshkrimin e tyre. Në lidhje me mandatin e datës 7 Maj 2026 unë nuk e kam nënshkruar pasi kam qenë e ngarkuar me audit’./BW