
Një aksident automobilistik është regjistruar mbrëmjen e kësaj të premteje në Orikum, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.
Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur tre persona, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, fatmirësisht, të tre të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po kryen veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.