
Gazetarja investigative Lindita Çela ka zbuluar detaje nga dokumentari austriak që po përgatitet për korrupsionin në Shqipëri. Gjatë një interviste në emisionin "Task Force" me Sonila Meçon në SYRI TV, Çela u shpreh se dolumentari që pritet të publikohet dhe që trajton korrupsionin në Shqipëri, ndodhet në proces editimi dhe kontrolli të fakteve.
Në lidhje me këtë, gazetarja theksoi se për këtë dokumentar është bërë një punë e gjerë investiguese dhe dokumentuese, ndaj nuk bëhet fjalë për një prodhim të bazuar vetëm në disa intervista.
Çela deklaroi se një prej arsyeve që ka shtyrë ekipin austriak të merret me Shqipërinë është narrativa e krijuar gjatë viteve të fundit rreth korrupsionit dhe akuzave që kanë prekur zyrtarë të lartë të politikës në vend.
"Unë besoj se është në proces të editimit, por edhe të kontrollit të fakteve sepse është një dokumentar investigativ. Nuk është të themi një intervistë apo dy intervista, katër intervista. Është siguruar me aq sa unë di për shkakun sepse të themi regjisorin e njoh, kemi marrëdhënie miqësore, ia njoh punën e tij, di sa skrupuloz është në raport me evidencat, me faktet, por edhe me tregimin e një historie.
Dhe ajo që e ka bindur për të bërë një dokumentar, për t'u përfshirë në një dokumentar në Shqipëri, është pikërisht, gjykoj unë ose sa kam komunikuar, është ajo narativa që është thënë të themi në 5 vitet e fundit. Ndoshta që kur patëm rastin e parë të arrestimit të Saimir Tahirit.
Ju kujtohet që në fillimisht zoti Tahiri asokohe dha dy-tre deklarata dhe më pas u pranua të dënohej për shpërdorim detyre, ranë të gjitha akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, mbushjes së Shqipërisë, sepse në qoftë se para 2014-ës ne kishim Lazaratin, po 2015-2016 e tutje u mbush gjithë Shqipëria, nuk u fol më.
Pastaj kemi dëgjuar zotin Ahmetaj që del dhe thotë që shiko se vendimi apo urdhëri për të mbushur Shqipërinë me kanabis ishte marrë nga kryeministri dhe të paktën sa kam dëgjuar në televizionin tuaj intervistën, ai thotë që ka pasur edhe debat me kryeministrin. Pastaj kemi pasur ministra të tjerë, po nis në nivelin e ministres në sektorë si shëndetësia, arsimi, mjedisi, e të tjera e të tjera.
Dhe sërish narativa e thënë apo justifikimi pa u futur... dhe debati apo beteja që kryeministri ka patur qoftë edhe me drejtësinë, sepse ka një standard të dyfishtë. Në momentin kur ishte nën akuzë zonja Balluku dhe tani kemi sërish një qasje tjetër të kryeministrit që i mbron dhe më pas thotë që ajo historia që të gjithë hanë dardha pas shpinës së tij.
Unë mendoj që fokusi i gazetarëve apo dhe regjisorit, mendoj që ata persona që janë nën akuzë nuk kanë ngrënë dardhat, kanë ngrënë një bisht të vockël nga dardha në qoftë se do e vazhdojmë këtë lloj narative" - tha gazetarja. /LAPSI.al
