
Arrestimi i gruas që duhej të ruante sekretet më të ndjeshme të shtetit e riktheu Shqipërinë në faqet e mediave ndërkombëtare, me episodin e radhës në vargun e skandaleve të korrupsionit që ka prodhuar qeveria Rama. Agjencitë më të mëdha të botës, Reuters dhe Agence France-Presse raportuan për arrestimin e Vlora Hysenit, duke shkuar përtej rastit të saj.
Në raportimet e Reuters dhe AFP, implikimet e drejtueses së SHISH-it u vendosën në një panoramë më të gjerë të skandaleve të korrupsionit që po prekin nivelet e larta të shtetit shqiptar dhe duke nxirë më tej imazhin e qeverisë së Ramës. ANSA, më e përmbajtur në interpretim, e vendosi Hysenin në hartën e një hetimi që nisi nga tenderët e AKSHI-t dhe përfshiu biznesmenin Ergys Agasi, ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit dhe zyrtarë të Policisë Shkencore.
Reuters: “Një tjetër problem për qeverinë e Ramës”

Reuters e nisi lajmin duke e vendosur menjëherë çështjen përtej një hetimi individual. Agjencia shkroi se Hyseni u vendos në arrest shtëpie nën dyshimin për nxjerrje informacioni të klasifikuar “si pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion”.
Sipas Reuters, prokurorët dyshojnë se drejtuesja e SHISH-it nxori informacion të klasifikuar tek persona të paautorizuar në lidhje me çështjen e korrupsionit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, institucioni që administron shërbimet publike dixhitale dhe infrastrukturën informatike të Shqipërisë.
“Zhvillimi përbën një tjetër goditje për qeverinë e Ramës”, shkroi Reuters, që solli menjëherë në vëmendje një tjetër dosje të nivelit të lartë: atë të Belinda Ballukut. Agjencia kujtoi se në shkurt Rama shkarkoi zëvendëskryeministren pasi ndaj saj u ngritën akuza për korrupsion dhe se më pas Parlamenti refuzoi heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj.
Me pak fjalë, arrestimi i Vlora Hysenit konsiderohet hallka e radhës e një vargu hetimesh që po afrohen gjithnjë e më shumë te maja e administratës shtetërore.
Agjencia evidentoi se në dosjen e SPAK “shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë u arrestuan ose po hetohen për keqpërdorimin e parave publike në AKSHI”.
Efektet e një skandali të tillë trajtohen në kontekstit e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. “Zyrtarë të Bashkimit Europian i thanë Reuters se po shqyrtojnë nga afër mënyrën se si Rama po trajton rastet e korrupsionit” raportoi agjencia.
Reuters citoi edhe reagimin e Ramës: “Çdokush është i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, por askush nuk është mbi ligjin”.
AFP: “Skandali më i fundit i korrupsionit që godet qeverinë e Edi Ramës”

Edhe Agence France-Presse e kapërceu raportimin e thjeshtë të një urdhër-arresti. “Ky është skandali më i fundit i korrupsionit që godet qeverinë e kryeministrit Edi Rama”, shkroi AFP.
Agjencia franceze e lidhi këtë zhvillim edhe me klimën politike që prej muajsh shoqëroi qeverinë shqiptare, duke përmendur protestat kundër projektit të diskutueshëm turistik në jug të vendit, të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Agjencia evidentoi edhe shtrirjen e dosjes së AKSHI-t: “ “Shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë u arrestuan ose janë nën hetim për keqpërdorimin e fondeve publike në AKSHI”.
Por AFP u ndal edhe te vetë figura e Hysenit dhe mënyra se si ajo mbërriti në krye të institucionit që ruan sekretet e shtetit shqiptar.
AFP kujtoi se emërimi i saj “shkaktoi kritika në Shqipëri”, për shkak se më parë kishte qenë numri dy i inteligjencës së Kosovës, post nga i cili ishte shkarkuar.
Në përditësimin e lajmit, AFP citoi një zëdhënës të policisë i tha agjencisë se Hyseni “iu dorëzua autoriteteve shqiptare në pikën kufitare të Morinës”, pasi u kthye nëpërmjet Kosovës.
Edhe AFP citoi reagimin e kryeministrit: “Çdokush është i pafajshëm deri në vendimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin, në asnjë rast dhe për asnjë arsye”.
ANSA: Nga Agasi te Hyseni, Proda dhe Policia Shkencore
Ndryshe nga Reuters dhe AFP, agjencia italiane ANSA shmangu kontekstin e skandaleve që kanë shpërthyer nën qeverinë Rama.
“Është lëshuar një urdhër-arresti për Vlora Hysenin, drejtoreshën e shërbimeve të inteligjencës shqiptare”, raportoi ANSA.
Agjencia sqaroi se masa u dha “në kuadër të një hetimi ndaj biznesmenit Ergys Agasi”, të akuzuar për korrupsion në lidhje me tenderët e Agjencisë shtetërore të sistemeve të informacionit. “Hetimi përfshiu gjithashtu ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda; banesa e tij u kontrollua dhe telefoni iu sekuestrua” raportuan gazetarët italainë.
Ndërkohë që në Tiranë debati është përqëndruar në detajet dosjes dhe sillet rreth emrave të Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, mediat ndërkombëtare e trajtojnë dosjen si një tjetër çarje në majën e shtetit shqiptar. E gjithë kjo në një kohë kur lufta kundër korrupsionit është një nga provat kryesore mbi të cilat Brukseli po mat rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian./Lapsi.al
